Gjendje e vështirë tek Reali i Madridit pas humbjes së rëndë në “El Klasiko”. Presidenti Florentino Perez po mendon për një trajner të ri, por duket se kriza është më e madhe sesa vetëm në stol.
Nuk mund të kishte fytyra më të trishtuara se kaq. Futbollistët e Realit, dhe gjithë delegacioni madrilen, u larguan me kokën ulur nga Barcelona, pas katastrofës në “El Klasiko”. Një humbje 1-5 ishte edhe më shumë sesa druheshin, ndërsa e ardhmja duket krejt e paqartë, duke filluar që nga trajneri Hulen Lopetegi.
Trajneri u shpreh se “goditja është e rëndë, por unë i kam të gjitha forcat për të vazhduar përpara”, veçse duket e vështirë që të mbijetojë. I pavendosur edhe presidenti Florentino Perez, që as nuk e ka shkarkuar, dhe as nuk e ka konfirmuar njeriun e stolit. Mediat spanjolle informojnë se bisedimet me Konten ende nuk kanë dhënë rezultat, ndërsa kandidat është trajneri I Belgjikës, Roberto Martinez.
Gjithsesi, në kryeqytet nuk mendojnë se ndryshimi në stol do të sjellë ndonjë mrekulli. Gazeta “Marka” shkruan: Faji nuk është vetëm i Hulenit! Etapa tepër e keqe e Lopetegit mbyllet me “manitën” turpëruese ndaj një Barçe pa Mesin!
“AS” thekson gjendjen e ekipit: Goleadë vdekësore! Madridi është në vend të 9-të, shtatë pikë prapa Barçës!
Për ta bërë situatën edhe më të rëndë, mendoi Kristiano Ronaldo, i cili sulmoi presidentin madrilen, në një intervistë për “Frans Futbollin”.
“Florentino Perez kurrë nuk më pa me sy tjetër, përveçse si një çështje biznesi, – ishin fjalët e portugezit, – asgjë nga ato që bëri, nuk i bëri me zemër”.
Sezoni duket në prag të dështimit dhe humbja e thellë në “Kamp Nou” thjesht e konfirmoi krizën. Reali nuk kishte bindur deri tani, as në La Liga, dhe as në Champions, ku u mund nga CSKA e Moskës dhe mezi fitoi me Plzenin e Çekisë.
Pa Ronaldon dhe pa Zidanin, ekipi duket pa udhëheqje e pa frymëzim, përballë një Barcelone tepër të fortë edhe pa Mesin. Gjithsesi, pritet vendimi për trajnerin, me Konten ende favorit, si dorë e fortë, veçse trajneri italian mori një paralajmërim nga kapiteni Ramos, që theksoi se “respekti fitohet, nuk imponohet”./abcnews.al