Euro 2020/ Tre duele: Belgjika për fitoren e parë, derbi viking në Kopenhagen

schedule08:37 - 12 Qershor, 2021

schedule 08:37 - 12 Qershor, 2021

Euro 2020 filloi mbrëmjen e kaluar dhe Italia mori tre pikët e para pas suksesit 3-0 ndaj Turqisë. Dita e sotme është më e ngarkuar dhe plot tre ndeshje do të zhvillohen. Në orën 15:00 takimi i parë, ai mes Uellsit dhe Zvicrës, dy skuadrave të tjera të grupit A.

Ndeshja do luhet në stadiumin “Baku Olympic Stadium” në Azerbajxhan (35 mijë tifozë). Përballja e fundit mes këtyre dy kombëtareve u luajt 10 vite më parë dhe Uellsi fitoi 2-0 falë golave të Aaron Ramsey dhe Gareth Bale.

Tre orë më vonë debutojnë në Euro 2020 Danimarka dhe Finlanda. Derbi viking do të luhet në “Parken Stadium” të Kopenhagenit (25 mijë tifozë). Danezët nisen si favoritë për faktin që luajnë në shtëpi, teksa kjo do të jetë ndeshja e parë që luan Finlanda në një Europian.

Dhjetë vite më parë u luajt dueli i fundit mes këtyre dy ekipeve. Danimarka fitoi 2-1. Aleksey Eremenko kalonte finlandezët në avantazh, por Danimarka përmbyste rezultatin me rrjetat e Daniel Agger dhe Nicklas Bendtner.

Mbrëmja mbyllet me ndeshjen Belgjikë-Rusi. Sfida e grupit B, ku bëjnë pjesë edhe Danimarka e Finlanda, do të zhvillohet në “Gazprom Arena” të Shën Petersburgut, Rusi (34 mijë tifozë). “Djajtë e Kuq” të Martinez, shihen si një ndër favoritet kryesore për fitimin e trofeut.

Dy vite më parë përkon takimi i fundit mes këtyre dy kombëtareve. Belgët fitonin 1-4. Thorgan Hazard, Eden Hazard (2x) dhe Romelu Lukaku autorët e golave, teksa golin e nderit për rusët e realizonte Georgiy Dzhikiya. /abcnews.al