Shqipëria anëtare e Këshillit të Sigurimit, Meta: Sfidat janë të jashtëzakonshme

schedule19:16 - 11 Qershor, 2021

schedule 19:16 - 11 Qershor, 2021

Presidenti Ilir Meta e cilëson mision mjaft të rëndësishëm periudhën që Shqipëria do të jetë anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kreu i shtetit shkruan se sfidat janë të jashtëzakonshme dhe shumë të vështira.

Përshëndes zgjedhjen sot të Shqipërisë, anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për herë të parë në 65 vite anëtarësi në këtë Organizatë të rëndësishme për paqen, sigurinë dhe stabilitetin global.

Sfidat janë të jashtëzakonshme dhe shumë të vështira, por shpreh bindjen se vendi ynë do të përmbushë me përgjegjësi të lartë këtë detyrë dhe mision për dy vitet e ardhshme” shkruan ai.

Shqipëria u zgjodh sot anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Këshilli i Sigurimit, një organ i OKB-së me kompetenca të fuqishme, përbëhet nga 15 anëtarë, 5 prej të cilëve të përhershëm, SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia dhe Kina që kanë të drejtë vetoje si dhe 10 anëtarë jo të përhershëm, me një mandat dy vjeçar.

Shqipëria, Brazili, Gaboni, Gana dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ishin në garë, pa konkurentë nga rajonet përkatëse, për 5 vendet. Për t’u zgjedhur, secilës prej tyre i duhej të siguronte dy të tretat e votave të vendeve anëtare të OKB-së. Votimi ishte i fshehtë. Shqipëria është vendi i vetëm që nuk ka qënë asnjëherë anëtare e Këshillit të Sigurimit. d.b/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!