Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ndodhet në Asamblenë e Përgjithshme në New York, ku po votohet për 5 shtetet e reja të cilat do të jenë anëtare jo të përhershme të Këshillit të Sigurimit për periudhën 2022-2023.
Mes vendeve për të cilat do të votohet është edhe Shqipëria.
Lexo edhe: Në prag votimi si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit, Xhaçka takime në New York
“Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB për një moment historik të marrëdhënieve 65 vjeçare të Shqipërisë me OKB: votimi si vend anëtar i Këshillit të Sigurimit për dy vitet e ardhshme”, shkruan Xhaçka bashkangjitur videos së publikuar.
Këshilli i Sigurimit, një organ i OKB-së, përbëhet nga 15 anëtarë, 5 prej të cilëve të përhershëm, SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia dhe Kina, si dhe 10 anëtarë jo të përhershëm, me një mandat dy vjeçar.
Shqipëria, Brazili, Gaboni, Gana dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë në garë, pa konkurrent nga rajonet përkatëse, për 5 vendet. Por për t’u zgjedhur, secila prej tyre duhet të sigurojë dy të tretat e votave të vendeve anëtare të OKB-së. Votimi është i fshehtë. Shqipëria është vendi i vetëm që nuk ka qenë asnjëherë anëtare e Këshillit të Sigurimit. Këshilli i Sigurimit merret me paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Ai ka kompetenca të dërgojë paqeruajtës në rajone të trazuara, si dhe të miratojë sanksione./i.k/abcnews.al/