Mjekja nutricioniste, Albana Daka foli për acidin urik dhe rëndësinë e mbajtjes nën kontroll të nivelit në gjak. Për “Abc-ja e mëngjesit”, Daka shpjegoi se acidi urik i lartë mund të manifestohet një formën e një artriti apo infeksioni të artikulacioneve të gjymtyrëve të poshtme.
“Rastin e akumulimit të acidit urik mund ta parandalojmë deri diku. Ndodh kryesisht tek meshkujt dhe femrat dhe ne e kemi futur në check up rutinë të moshave të treta. Për të parë nëse kemi një acid mbi normën por që nuk kanë filluar akoma problematikat me artikulacionet atëherë mund ta menaxhojmë me regjim ushqimor, por kur kemi probleme me artikulacionin, duhet të kombinohet terapia me medikamente me regjimin ushqimor.“, theksoi Daka.
Sipas saj, duke patur parasysh nivelin e acidit urik në gjak, rekomandohet trajtimi me medikamente, por shtoi se është e rëndësishme ndjekja e një regjimi të shëndetshëm ushqimor. “Personi që ka një acid urik të lartë dhe po merr trajtimin medikamentoz duhet dhe një regjim ushqimor me purina të ulëta. Të brendshmet e mishrave janë nivele të larta me acid urik, mishi i kuq, produktet e detit sidomos sardelja, por në mënyrë absolute nuk është se i heqim totalisht.
Do t’i menaxhojmë si në sasi dhe cilësi. Heqim produktet shtazore, gjithmonë varet nga niveli i sëmundjes, kur kemi nivel të moderuar, dhe ushqimin e moderojmë. Nëse nivelet acidit janë shumë të larta dhe krahas regjimit kemi dhe medikamente, bëjmë një regjim pa produkte shtazore në një periudhë kohe. Por përdorim në mënyrë frekuente vezën dhe bulmetrat.”, tha Daka.
Çfarë duhet konsumuar?“Kemi një regjim që ne e quajmë me predominim të karbohidrateve hipokalorik. Ka në bazë bulmetrat, drithërat me një sasi normale karbohidratesh, nga perimet nuk përdorim kërpudhën ose në një sasi të moderuar, bishtajoret në një sasi të moderuar për shkak të bazës proteinike, nuk përdoret asparagusi, spinaqi dhe përdorim të gjitha frutat por jo ata me sasi të lartë shqeeri, siç janë banania, rrushi, hurmat, fiqtë. /abcnews.al