Kufiri mes Kosovës dhe Malit të Zi mbetet një nga pesë problemet kufitare ende të pazgjidhura në Ballkan. Qeveria kosovare pretendon një rishikim të demarkacionit, ndërsa Mali i Zi e ka miratuar atë në parlament.
Pjesa e kufirit të Kosovës me Malin e Zi është një nga pesë cështjet kufitare ende të pazgjidhura në Ballkanin Perëndimor. Tre pika të tjera kufitare të kontestuara janë ndërmjet Bosnje e Hercegovinës dhe Serbisë, ndërsa një tjetër në kufirin Kroaci – Serbi. Radio Europa e Lirë raporton se Kroacia pretendon 10 mijë hektarë nga Serbia në anën tjetër të lumit Danub, ndërsa Serbia 3 mijë hektarë të vendit fqinj. Me demarkacionin e kontestuar nga një pjesë e ekspertëve në Kosovë, pretendohet se i janë falur 8 mijë hektarë të territorit shtetëror Malit të Zi. Ndërsa, pikat e kontestuara ndërmjet Bosnje e Hercegovinës dhe Serbisë përfshijnë sipërfaqe 17 dhe 5 hektarë./abcnews.al