Në cilësinë e të “zotit” të shtëpisë, kryeministri Edi Rama ka hapur samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë. Rama u shpreh se pjesëmarrja e liderëve të Ballkanit në këtë samit është shenjë e qartë e zbatimit të planit të BE-së dhe tregut të përbashkët rajonal.
Ai theksoi se ky samit është një instrument kyç që do të ndihmojë në rimëkëmbjen e ekonomisë pas pandemisë për të shkuar drejt rritjes së qëndrueshme.
“Nisim seancën e punës. Faleminderit që pranuar ftesën në një kohë kaq të shkurtër dhe jam I lumtur t’ju uroj mirëseardhjen. Pjesëmarrja juaj është një shenjë e qartë e vullnetit tonë për të marrë autorësi rajonale të zbatimit të planit të BE-së dhe tregut të përbashkët rajonal.
Jam shumë mirënjohës komisionerit të BE që e nisi dhe e promovoi këtë plan të madh si një instrument kyç që do të na ndihmojë të rimëkëmbemi ekonomikisht në një kohë post-pandemike dhe të shkojmë drejt rritjes së qëndrueshme e të ndërtojmë mbi tranzicionin e gjelbërt dhe digjital”, u shpreh Rama.
Pas hapjes së samitit, takimi vijoi me fjalën e komisionerit europian pa praninë e kamerave. m.v/abcnews.al