Një studim i kryer nga Universiteti i Harvardit ka treguar se fëmijët që angazhohen që në moshë të vogël në punët e shtëpisë priren të jenë më të suksesshëm. Shpeshherë prindërit zgjedhin t’i mbajnë fëmijët larg punëve të shtëpisë, por psikologia Xhensila Xhelili thotë se angazhimi i tyre në kryerjen e detyrave të thjeshta i mëson ata se si të kujdesen për veten, si të ndërveprojnë me të tjerët dhe të marrin përgjegjësi.
“Fillon nga modeli dhe ajo që shohin nga prindërit. Nëse e shohin një prind dhe bën gati çdo gjë, nuk do ta marrin përsipër ta bëjnë këtë gjë. Së pari, përgjegjësia fillon me përgatitjen e lojërave, me vendosjen e tyre në vend. Më pas duke e ftuar fëmijën në kuzhinë, në ambiente të tjera, për të sistemuar dhomën apo për të rregulluar rrobat.”, u shpreh psikologia.
Ajo shpjegoi më tej se punët e tilla, si përgatitja e krevatit, kujdesi për higjienën personale janë përgjegjësi që fëmija duhet t’i bëjë në aktivitetin e përditshëm por siç shtoi ajo, janë të rëndësishme dhe punët që mund të kryen një herë në javë, si për shembull përgatitja e mëngjesit për familjen gjatë fundjavës. Ajo vuri theksin dhe tek mënyra se si prindi sillet ndaj fëmijës në mënyrë që të përfshihet në këto aktivitete me dëshirë.
“Personaliteti formohet deri në 6 vjeç. Edukimi fillon më herët se puberteti dhe adoleshenca, deri atëherë fëmija është ekspozuar dhe ka parë modele. Nëse nuk është ekspozuar dhe nuk ka marrë përgjegjësi në punë shtëpie, patjetër që do të rebelohet dhe ka krijuar një comfort zone që nuk do ta prishte. Ka teknika që fëmijës i shpjegohet se punët do t’i bëjmë së bashku. Punët mund të përdoren si një përforcues pozitiv sepse për shkak të kësaj gjëje, mund të përfitojnë ekstra kohë në gjërat që dëshirojnë.”, theksoi Xhensila. /abcnews.al