La në izolim bosin e mafias, Gjykata e Strazburgut dënon Italinë

schedule18:56 - 25 Tetor, 2018

schedule 18:56 - 25 Tetor, 2018

Gjykata e Strazburgut ka dënuar shtetin italian se i ka mohuar të drejtat themelore të njeriut ish-bosit të mafias Bernardo Provencano. Gjyqtarët kanë deklaruar se me caktimin në regjim izolimi, bosit plak i dënuar me 20 burgime të përjetshme i ishin mohuar trajtimi dhe mjekimi dinjitoz.

Gjykata europiane për të drejtat e njeriut ka dënuar shtetin italian për shkak se i ka mohuar të drejtat themelore ish-bosit famëkeq të mafias siçiliane, Bernardo Provencano. Në vendimin e tyre, gjyqtarët kanë argumentuar se vendosja e ish-kreut të Koza Nostrës në regjim të rreptë izolimi ka bërë që atij t’i mohohet e drejta për trajtim dhe mjekim dinjitoz. Zgjatja e regjimit të izolimit për Provencano u vendos më 23 mars të vitit 2016 dhe vazhdoi deri më 13 korrik të të njëjtit vit, kur bosi plak ndërroi jetë pas një sëmundjeje të gjatë. Pak muaj para vdekjes, Provencano ishte ankuar për rëndim të gjendjes shëndetësore për shkak të izolimit dhe për mjekim të papërshtatshëm. Ishin familjarët e tij që pas refuzimit të shtetit italian për ta nxjerrë nga izolimi e çuan çështjen në Gjykatën e Strazburgut.

“Luftuam për afirmimin e një parimi, se aplikimi i regjimit të ashpër të burgimit për kë nuk përbën më rrezik shoqëror kthehet në persekutim”, ka komentuar avokatja e ish-bosit, Rozalba de Gregorio. I pakënaqur nga vendimi ka mbetur zëvendës kryeministri Mateo Salvini. “Gjykata e Strazburgut dënoi Italinë sepse mban në burg një person të dënuar me 20 burgime të përjetshme për dhjetëra vrasje. Ky është një tjetër tregues i dështimit të Europës. Për Italinë vendosin italianët dhe jo të tjerët”, ka thënë Salvini. Lindur në Korleone, Bernardo Provencano dhe miku i tij i fëmijërisë Toto Riina ngjitën shkallët e mafias deri në majën e kupolës me një fushatë të paprecedentë dhune, që në pak vite mori mbi 1 mijë jetë njerëzish, përfshirë ato të prokurorëve Xhovani Falkone dhe Paolo Borselino. Ai u arrestua më 11 prill të vitit 2006, pas më shumë se 40 vite arrati, në moshën 73-vjeçare./abcnews.al