Gjykata ka lënë sot në burg babë e bijë, Mexhit Picari dhe Dhurata Saliaj, të cilët akuzohen për vrasjen e Kudret Saliajt. Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e së premtes, ku Picari qëlloi me armë ish dhëndrin e tij. Si bashkëpunëtore në krim akuzohet edhe Dhurata Saliaj.
Ndërkohë, në sallën e gjyqit Mexhit Picari ka mohuar që vajza e tij të kishte dijeni për vrasjen. Ai ka kërkuar ndjesë për krimin e bërë.
“Kërkoj ndjesë publikisht për çfarë kam bërë edhe falje. Të më falin nipërit dhe mbesat, i kërkoj falje edhe vajzës që i vrara burrin. Dhurata s’ka patur dijeni. Pistoletën e kisha në brez dhe se mora në çantën e gocës”, ka thënë ai.
Po ashtu edhe Dhurata Saliaj ka mohuar të ketë gisht në vrasje. Ajo ka deklaruar s enuk e dinte që babai i saj do kryente vrasjen, pasi në të kundërtën s’do e kishte lejuar kurrë. “Atë ditë isha për gjykatë. S’e dija që babi do bënte vrasje. S’do e lejoja kurrë. Kudreti ishte babai i fëmijëve të mi, s’do e lejoja. Kërkoj mëshirë nga Gjykata, kam tre fëmijë për të rritur”, ka thënë Dhurata. g.v/abcnews.al