Gjykata vendos sot për apelin e Ratko Mlladiç

schedule08:47 - 8 Qershor, 2021

schedule 08:47 - 8 Qershor, 2021

Gjykata e Kombeve të Bashkuara në Hagë do të vendosë sot mbi apelin e ish-komandantit të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiç, kundër dënimit të tij për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.

Mlladiç është dënuar me burgim të përjetshëm në vitin 2017 për rolin e tij në masakrën e Srebrenicës.

Gjatë luftës në Bosnje në vitin 1995, forcat serbe kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë. Në seancën e tij të apelit në Hagë, gushtin e kaluar, Mlladiç e ka cilësuar gjykatën si një “fëmijë” të fuqive perëndimore.

Avokatët e tij kanë thënë se Mlladiç ka qenë larg Srebrenicës kur ka ndodhur masakra. Akuza kundër tij është ngritur më 24 korrik, 1995.

Pas 16 viteve në arrati, ai u arrestua në Serbi më 26 maj, 2011, dhe është transferuar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë më 31 maj, 2011.