Barcelona është e fortë edhe pa Mesin. Suksesi ndaj Interit në Champions, tregoi se katalanasit janë kthyer në formën e tyre të dikurshme.
Kishte nga ata që deklaruan se mund të fitonin edhe po të ishte Mesi. Dëshira nuk iu plotësua, pasi Barcelona luajti pa superyllin e saj, veçse përfundimi për Interin ishte për t’u harruar.
Katalanasit dominuan si në kohët e dikurshme. Përfundimi ishte 2-0 dhe kryesim i grupit me pikë të plota 9, duke iu afruar kualifikimit.
Suksesi mund të kishte qenë edhe më i thellë, ndonëse mungesa e Mesit u ndje, sidomos në rrjedhshmërinë e lojës para portës së rivalëve.
Mediat katalanase kishin kërkuar “11 Mesi në fushë”, dhe kjo ishte e tepruar, por sidoqoftë, të 11 lojtarët luftuan fort, bënë presion të madh dhe nuk e lejuan Interin të dilte në lojën e tij.
Italianët patën vetëm pak raste, por në shumicën e kohës ishin thjesht spektatorë. Rafinja, ish-interist, dhe Zhordi Alba, ishin autorët e golave, ndërsa më të mirët në fushë ishin disa, si Ter Shtegen, Buskets, Artur, Pike, Zhordi Alba apo Suarez.
Mediat i mbajtën ison trajnerit katalanas.
“El Mundo Deportivo” e thotë në italisht: Bravo Barça! Skuadra kalon mungesën e Mesit dhe arrin një fitore luksi!
“Sport”: Dhuratë për Mesin! Barça kapërcen mungesën e Mesit, arrin fitore me lojë të madhe korale, dhe është thuajse në turin tjetër!
Çfarë ndryshimi ka ndodhur te katalanasit, që ishin kaq lart edhe pa Mesin?
Trajneri Valverde nuk do të donte të përmendte emra, por le të themi të vërtetën.
Ndryshimi e kishte emrin Artur, me brazilianin që po mbiquhet “Ksavi I ri”.
Vetëm 22 vjeç, ai po ndihmon Barçën të kthehet tek loja “tiki taka”, duke qenë pasardhës I Ksavit, Iniestës apo Nejmarit.
Interi kuptoi se Seria A (me përjashtim të Juventusit) e ka të vështirë në Champions, ndërsa do të duhet të mbrojë të paktën vendin e dytë.
Për fat, Totenhemi u mbajt në barazim në fushën e PSV Ajndhovenit, një 2-2 ku portieri i anglezëve, Hugo Joris, doli me karton të kuq.
Gazetat italiane të paktën ishin të lehtësuara për barazimin e Totenhemit.
“La Gazeta delo Sport”: Inter, nuk të bën keq! Humbje ndaj Barcelonës, por barazimi i Totenhemit me PSV-në e ndihmon!
“Il Korriere delo Sport”: Inter, faleminderit PSV! Bie në Barcelonë, por mbetet i dyti! Madhështi e Napolit, që i afrohet fitores në “Park dë Prensis”, 2-2!
Katalanasit tani do të përqëndrohen tek “El Klasiko” ndaj Realit në fundjavë, në “Kamp Nou”. /abcnews.al