Administrata Biden thotë se është e shqetësuar për peshkimin e jashtëligjshëm të anijeve kineze. Kina udhëheq industrinë e paligjshme, të pa raportuar dhe të parregulluar të peshkimit, me një flotë prej mijëra anijesh kudo në botë.
Peshkimi i jashtëligjshëm, i paraportuar dhe i parregulluar është industri e madhe, ku Kina është lojtari kryesor, sipas Nismës otërore kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar.
Mijëra anije peshkimi kineze, shumica të mbështetura nga Pekini, peshkojnë në ujëra të vendeve të Afrikës, Azisë Juglindore dhe Amerikës së Jugut, duke varfëruar rezervat e peshkut dhe duke dëmtuar ekonomitë lokale. Pekini i mohon akuzat.
“Kina është vendi më i madh, që jep subvencionet më të mëdha, shumë tepër se të tjerët për peshkimin e dëmshëm,” thotë Michele Kuruc e Organizatës “Fondi Botëror i Kafshëve të Egra”.
Majin e shkuar, administrata Trump nxori një urdhër ekzekutiv për të penguar këtë dukuri dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të luftojë peshkimin e jashtëligjshëm nga Kina.
Shtëpia e Bardhë i tha Zërit të Amerikës se luftimin e kësaj dukurie e sheh përparësi të politikës së jashtme.
“Bëhet fjalë për peshkimin e tepërt në pjesë të caktuara të botës. Është diçka që ekipi ynë i sigurisë kombëtare po e përcjell nga afër”, tha Jen Psaki, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.
Ndërsa qeveritë përpiqen të parandalojnë peshkimin e jashtëligjshëm, konfrontimet janë diçka e zakonshme, si incidenti i vitit të kaluar kur marina e Ekuadorit hapi zjarr ndaj anijeve kineze të peshkimit pranë ishujve Galapagos.
Qeveri të tjera, përfshirë atë të Indonezisë, morën masa ndëshkuese, duke kapur dhe fundosur anijet kineze të peshkimit.
Organizata Botërore e Tregtisë dështoi në arritjen e një marrëveshjeje para afatit të dhjetorit 2020 për të shkurtuar subvencionet për peshkimin e jashtëligjshëm, si ato që jepen nga Pekini.
“Kanë kaluar 20 vite dhe 20 vite janë mjaft. Tani duhet të përfundojmë punë“, tha Ngozi Okonjp-Iweala, drejtor i përgjithsëm i Orgnizatës Botërore të Tregtisë.
Sipas një raporti të Komisionit Ndërkombëtar të Tregtisë, më shumë se 13 për qind e importeve amerikane të produkteve detare vijnë nga peshkimi i jashtëligjshëm.
“Totali i peshqve të jashtëligjshëm që vijnë në ShBA është mbi 2 miliardë dollarë“, tha Michele Kuruc nga Organizata “Fondi Botëror i Kafshëve të Egra”.
Peshkimi i jashtëligjshme prek edhe të drejtat e njeriut. Grupet humanitare ofrojnë prova të skllavërisë moderne ku punëtorët u nënshtrohen kushteve të vështira, pagës së ulët, ushqimit dhe ujit të papërshtatshëm për muaj apo vite në det të hapur./VOA