Vjehrri vrau dhëndrin, fëmijët kishin kërkuar të rrinin me të atin, Dhurata Saliaj theu arrestin shtëpiak

schedule19:38 - 4 Qershor, 2021

schedule 19:38 - 4 Qershor, 2021

Dhurata Saliaj kishte shkelur sot arrestin shtëpiak për të pritur jashtë dyerve të gjykatës bashkë me të atin, vendimin për kujdestarinë e fëmijëve dhe procesin e divorcit me të shoqin Kudret Saliaj që mbeti i vrarë me armë zjarri nga vjehrri i tij.

Gazetarja Xhensila Kodra deklaroi në Radarin Informativ në ABC se Saliaj kishte qenë e arrestuar për dhunë në familje, konkretisht ndaj vjehrrës dhe fëmijëve të saj në bazë të deklarimeve që kishte bërë nëna e ish-bashkëshortit të saj. Akuza për dhunë në drejtim të saj ishin ngritur edhe nga mbesa e viktimës, vajza e vëllait të Kudret Saliajt.

E gjithë skena e vrasjes u pa edhe nga djali adoleshent i çiftit i cili do të dëshmonte sot në seancë, në prani të një punonjësi social. Burime bëjnë me dije se të tre fëmijët kishin kërkuar të qëndronin me babain e tyre pas divorcit të prindërve.

Çifti kishin më shumë se 17 vite të martuar dhe problemet mes tyre kishin përfunduar në dyert e gjykatës shtatorin e kaluar, pasi fillimisht familjarët e viktimës e kishin akuzuar Dhuratën për dhunë fizike dhe psikologjike në familje. Dy familjet e çiftit i kishin shtëpitë shumë pranë njëri-tjetrit.

Nga ana tjetër, Mexhit Picari është larguar në këmbë pasi ka kryer krimin duke shkuar në banesën e vajzës. Në momentin kur blutë kanë shkuar për ta arrestuar ai është shprehur se nuk di asgjë në lidhje me ngjarjes ndërkohë që rrugës për në komisariat ka treguar se e “ka vrarë për të mbrojtur nderin e vajzës”.

Kjo pasi familjarët e viktimës e kishin akuzuar të shoqen e tij edhe për tradhti bashkëshortore.  Ndërkohë Picari ka dhënë fillimisht deklarim të rremë edhe për vendndodhjen e pistoletës duke deklaruar se ka hedhur atë në lulishte por pas kontrolleve policore ajo u gjet në lumin Lana shumë pranë vendit ku ndodhi ngjarja. /mv.abcnews.al