Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Gramoz Ruçi ka firmosur një ndryshim në rregulloren e institucionit që drejton që kufizon gazetarët duke i penguar që të bëjnë punën e tyre. Me vendimin e fundit të Byrosë, media nuk lejohet që të bëjë detyrën, por i serviren vetëm materialet që vendos Kuvendi.
Por për cfarë bëhet fjalë konkretisht?
Gazetarja e ABC, Esiona Konomi ka siguruar vendimin e miratuar nga Byroja e Kuvendit dy ditë më parë, që i kufizon gazetarët të ndjekin komisionet parlamentare, apo që të marrin prononcime dhe intervista në korridoret e Kuvendit.
Me vendimin për mbylljen e aksesit nëpër mjediset e kryesisë së kuvendit gazetarët dhe kameramanët do të marrin transmetimet e prodhuara dhe kontrolluara nga vetë Kuvendi.
Tashmë gazetarët do të qëndrojnë në një dhomë të veçantë, sallë në bodrumin e institucionit nga ku do të mund të ndjekin përmes rrjetit të transmetimit punimet e komisioneve dhe parlamentit.
Por jo vetëm kaq. Edhe nëse do të duan që të marrin një prononcim apo intervistë nga deputetët në mjediset e Kuvendit nuk do të lejohen nëse nuk kanë marrë më parë leje, ku të përcaktohet cështja për të cilën do të pyesin të zgjedhurin e popullit.
“Personat e akredituar pranë Kuvendit të Shqipërisë akomodohen në dy godinat e parlamentit, në mjediset e caktuara për ta si me poshtë:
Te Kryesia e Kuvendit në News Room/ Salla e Gazetarëve, qe ndodhet në katin e pare te godinës.
Te ambienti i caktuar për gazetarët te Salla e Seancave Plenare” thuhet në vendimin, që ka sjellë kundërshtinë e gazetarëve. Por jo të gjithë trajtohen në mënyrë të barabartë nga Kuvendi.
Në vendimin e Byrosë theksohet se lejohen vetëm gazetarët e RTSH-së dhe ATSH-së që të lëvizin të lirë në Kryesinë e Kuvendit dhe sallën e parlamentit me status të veçantë.
/ db/ Abcnews.al