Fier – K.R., 53 vjeç, me detyrë Inspektor i parandalimit në MNZSH pranë Bashkisë Fier, ka rënë në prangat e SHÇBA për shkak se akuzohet për gjobëvënie ndaj bizneseve duke shfrytëzuar postin që kishte.
Nga hetimi disa mujor i SHÇBA, nën drejtimin e Prokurorisë SPAK duke aplikuar metoda speciale, u bë e mundur organizimi dhe finalizimi i operacionit “Zjarrfiksi Gjobvënës”, në të cilin u realizua dokumentimi me prova ligjore i ndërveprimit korruptiv të kryer nga punonjësi i MNZSH, Inspektor K.R.
Nga veprimet proceduriale të kryera, u sekuestruan provat materiale:
– 32,000 lekë, e dyshuar si produkt i ndërveprimeve korruptive;
– Armë e ftohtë, thikë dhe dorezë të inkorporuara me njëra tjetrën, e cila dyshohet se futet në kategorinë e armëve të ftohta pa leje;
– Shkop druri artizanal në formën e shkopit të bejzbollit, që përdoret për veprime të dhunshme.
Shtetasi K.R. i mbante sendet e mësipërme me vete gjatë ushtrimit të detyrës. Materialet proceduriale të përpiluara, i dërgohen për vijimin e hetimeve Prokurorisë SPAK.
Njoftimi i SHÇBA:
Fier – Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në bashkëpunim me prokurorët e SPAK arrestoi në flagrancë shtetasin K.R., 53 vjeç, me detyrë Inspektor i parandalimit në MNZSH pranë Bashkisë Fier.
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat u bën thirrje të gjithë subjekteve private që janë cënuar apo cënohen nga veprime të tilla, të denoncojnë rastet pranë zyrave apo mjeteve të komunikimit të vëna në dispozicion nga SHÇBA./abcnews.al/