Apeli i GJKKO-së ka lënë në burg ish-gjyqtaren e Krujës Enkelejda Hoxhën. Kjo e fundit u arrestua nën akuzën e korrupsionit, ku në këmbim të shumave të mëdha monetar ndërhynte për uljen e dënimit për të burgosurit në mënyrë që ata të liroheshin. Kjo është hera e 7-të që refuzohet kërkesa e saj për liri.
Gjyqtarja ishte lakuar prej vitesh në media për lirimet e të dënuarve për jetë. Me urdhër të SPAK, Enkelejda Hoxha u arrestua bashkë me 9 persona të tjerë më 11 shkurt me akuzën e korrupsionit. Ata u akuzuan se kishin ngritur një skemë përmes të cilës ulnin dënimet ose lironin nga burgu të dënuar për vepra të rënda penale kundrejt parave.
Si nisi procedura?
Inspektorati i Lartë i Drejtësisë kërkoi shkarkimin nga detyra të gjyqtares Enkelejda Hoxha. Hetimi i ILD ndaj Hoxhës, nisi si rezultat i ankesës së bërë nga Ministria e Drejtësisë për lirimin e shumë personave të dënuar me burg për jetë, mes tyre dhe Endrit Doklen, ish-numri dy i bandës së Durrësit.
Sipas ILD kanë qenë disa vendime të marra nga Hoxha në harkun kohor nga maj 2017- shkurt 2019 të cilët sipas hetimeve kanë rezultuar me shkelje. Në qershor të vitit të kaluar, emri i Hoxhës doli sërish në skenë pas vrasjes së Hekuran Billës në zonën e Komunës së Parisit.
Ai ishte dënuar me 25 vite burg për një vrasje të ndodhur në Angli por 10 vite para përfundimit të dënimit, Hoxha i fali 5 vite Billës, ndërkohë që 5 vitet e fundit i konvertoi në shërbim prove, duke e nxjerrë atë menjëherë nga qelia./Abcnews.al