Anglia niset gjithmonë si një nga favoritet për Europianët apo Botërorët, por në gjithë historinë e vet ka fituar vetëm një Kupë Bote (1966). Gjithsesi, Southgate ka në duar një grup fantastik lojtarësh dhe të gjithë janë të bindur që “Tre Luanët” do të jenë një nga pretendentët kryesorë për fitimin e Euro 2020.
Kapiteni i kombëtares ishullore, Harry Kane ka karikuar shokët e skuadrës në prononcimin e dhënë për London Evening Standard, duke paralajmëruar njëkohësisht edhe rivalët. “Shpresoj që mamaja të mos mërzitet që po i zbuloj moshën, por ajo ka lindur në vitin 1966.
Babai ka lindur në 1964, pra ka qenë dy vjeç kur kemi fituar Botërorin. Ka kaluar shumë kohë prej atëherë dhe na takon neve të rikthejmë Anglinë te trofetë. Nëse do e përfundoja karrierën time pa fituar një trofe me Anglinë, do e cilësoja si dështim.
E di që kemi mundësi për t’u përmirësuar si skuadër, por Euro 2020 është objektivi ynë kryesor dhe unë mendoj se do ia dalim ta realizojmë. Pritshmëria ekziston por edhe bindja. I njoh mirë shokët e skuadrës dhe e ndjej që jemi gati për suksesin e madh.
Ka disa skuadra favorite: Franca, Belgjika, Spanja, Gjermania, Italia dhe Portugalia. Duhet t’i mposhtim nëse duam trofeun, kjo është sfida jonë. Por jam i sigurt që asnjë nga këto skuadra nuk dëshiron të përballet me ne, pasi na njohin mirë“, theksoi goleadori anglez. /abcnews.al