Krijimi i ushtrisë së Kosovës, BE: Duhet mbështetja e të gjithë komuniteteve

schedule17:40 - 23 Tetor, 2018

schedule 17:40 - 23 Tetor, 2018

Ushtria e Kosovës duhet të krijohet me mbështetjen e të gjitha  komuniteteve në vend, dhe jo si në parlamentin e Kosovës , kur u bë një hap para për krijimin e saj, në një moment që lista serbe bojkotoi vendimin. Është ky qëndrimi i Bashkimit Europian, i shprehur nëpërmjet zyrës së BE-së në Prishtinë.

Zyrtarë të Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë janë shprehur se transformimi i Forcave të sigurisë së Kosovës duhet të bëhet vetëm në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe duke marrë parasysh shqetësimet e të gjitha komuniteteve në vend.

Parlamenti i Kosovës javën e kaluar miratoi në parim tri projektligjet për transformimin e FSK-së, të cilat kundërshtuan vetëm deputetët e Listës Serbe.

Zyrtarë nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë janë shprehur për të përditshmen kosovare “Zëri” se mbështesin një proces gjithëpërfshirës, i cili çon në miratimin e legjislacionit për transformimin e FSK-së.

“BE-ja mbetet plotësisht e angazhuar për zhvillimin dhe për prosperitetin e Kosovës si pjesë integrale e agjendës së saj për Ballkanin Perëndimor. BE-ja ka kërkuar gjithmonë një proces gjithëpërfshirës që çon në miratimin e legjislacionit për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe duke marrë parasysh interesat e shqetësimet e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe të gjithë partnerët, entitetet dhe organizatat relevante”, thuhet mes tjerash në përgjigjen e Zyrës së BE-së në Prishtinë. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!