Atentat në Vlorë, u qëllua në hyrje të pallatit, vdes në spital i plagosuri

schedule00:57 - 3 Qershor, 2021

schedule 00:57 - 3 Qershor, 2021

Nuk ka qetësi në Vlorë. Mbrëmjen e sotme është shënuar një tjetër viktimë në një atentat që ndodhi rreth orës 23:55, në lagjen “24 Maji”.

Viktima është Shkëlzen Velaj, ndërsa 6 vite më parë i vranë vëllanë, Ardi Velaj në masakrën e “Coles”.

Policia deklaron se Shkëlzen Velaj 35 vjec u qëllua me armë zjarri në rrethana ende të paqarta dhe humbi jetën në spitalin Rajonal Vlorë si pasojë e plagëve të marra.

Gazetari i ABC, Elton Nika mëson se Velajt i kanë zënë pritë në pallatin ku banonte, e njëjta skemë si me vrasjen e biznesmenit mbrëmë në Tepelenë duke e qëlluar me kallashnikov.

Gjatë krehjes së zonës, në afërsi të fshatit Risili, nga shërbimet e Policisë është konstatuar duke u djegur një automjet i braktisur, i cili paraprakisht dyshohet se mund të jetë i autorit/ve të ngjarjes.

Vijon krehja e zonës nga shërbimet e DVP Vlorë, për kapjen e autorit/ve.

Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, po punon për identifikimin e autorëve dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.