Rusia mbështet fuqishëm qëndrimin se Kosova është “pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”, tha kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç, gjatë një vizite zyrtare në Moskë.
Në një fjalim drejtuar deputetëve të Dumës ruse, Daçiç tha se për Serbinë është e rëndësishme mbështetja e Rusisë në respektimin e Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara, mbi praninë e forcave ushtarake ndërkombëtare në Kosovë.
“Sot, Rusia është mbrojtësja më e madhe dhe më me ndikim e interesit tonë suprem kombëtar, të cilin ne e mbrojmë në skenën ndërkombëtare, dhe ai është ruajtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Serbisë”, tha Daçiç, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Ai tha se Beogradi po zhvillon një dialog konstruktiv me Prishtinën dhe se ai dëshiron një kompromis, i cili do të çojë në paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon.
Daçiç tha se Serbia nuk do të lejojë që zgjidhjet të imponohen dhe të jenë të njëanshme.
Duke iu referuar rrugës për në Bashkimin Evropian, Daçiç tha se Serbia dëshiron të hyjë në BE dhe të punojë në këtë drejtim, por, sipas tij, ajo nuk do të pranojë që në këtë rrugë të vendosen pengesa, siç është njohja e Kosovës.
Kosova dhe Serbia janë të angazhuara në një dialog për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.
Bisedimet pritet të vazhdojnë këtë muaj me një takim të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Të martën, gjatë një vizite në Prishtinë, zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, ka thënë se njohja e ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë qëllimi kryesor i dialogut mes dy shteteve. /Rel