“E vështirë kjo fitore”, Ndreu: Vuajtëm në fund të sezonit, s’kishim kapacitetin e duhur

schedule20:17 - 30 Maj, 2021

schedule 20:17 - 30 Maj, 2021

Kastrioti arriti një fitore shumë të rëndësishme sot ndaj Tomorit me shifrat 2-1, duke siguruar qëndrimin në Kategorinë Superiore në sezonin e ardhshëm. Pas ndeshjes për mediet foli trajneri i krutanëve, Ramadan Ndreu, që u shpreh:

“Të jem i sinqertë, ishte një ndeshje shumë e vështirë. Unë e kam provuar 3-4 herë këtë dhe e di sa e vështirë është. Ajo që në futboll është e dëmshme është presioni psikologjik, që e kishim ne. E menaxhuam mirë lojën dhe ishim të kujdesshëm që të mos pësonim dhe të qëndronim në sulm.

Skuadra bëri mirë dhe jam i lumtur me ekipin. Jo për t’u justifikuar, por në dy fazat e fundit, kemi pasur shumë mungesa. Na ra niveli dhe kishim këto luhatje. Ndoshta nuk e kemi pasur kapacitetin për ndeshje të forta, si këto të fundit.

Merkato? Unë besoj që gjithçka e mbyllëm mirë dhe kemi gjithë kohën për t’u ulur me presidentin dhe për të punuar për skuadrën e sezonit tjetër. Duam një bosht, që luan futboll. Kemi nevojë për lojtarë me grintë, që plotësojnë grupin. Duhet të kemi me çdo kusht 18 lojtarë. Kështu që çdo gjë është e hapur për vitin që vjen”, tha Ndreu. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!