Autoritetet e BE-së kanë vendosur që aprovimi I vaksinës ruse “Sputnik V” për përdorim mund të jepet përgjatë muajit Shtator, pasi ende nuk janë siguruar mjaftueshëm të dhëna për të certifikuar cilësinë e saj.
Ky lajm është bërë i ditur nga gazeta gjermane “Bild am Sonntag, duke ju referuar burimeve qeveritare. Nga ana tjetër Kryetari i Landit të Bavarisë, Markus Soder ka shprehur dëshirën që vendimi për vaksinën ruse të merret me shpejt.
Soder ka kërkuar nga Agjensia Europiane e Barnave që aprovimi i “Sputnik V” të jepet brenda një kohe sa më të shkurtër, në mënyrë që ritmi i vaksinimit në BE të përshpejtohet. Ai ka shtuar se nuk duhet të ketë vonesa vetëm për arsye politike. Ndërkaq, landi i Bavarisë ka planifikuar blerjen e 2.5 milion dozave të vaksinës “Sputnik V”, sapo ajo të marrë aprovimin nga EMA.
Rusia e ka nxjerrë vaksinën e saj për përdorim që në Gusht të vitit të kaluar, para përfundimit të plotë të analizave shkencore, që zakonisht parashikojnë një kohë të caktuar për të gjitha vaksinat. Në atë periudhë, vendimi I Rusisë u prit me kritika nga komunitetet shkencore. Megjithatë, nga ana tjetër, janë 70 Shtete që e kanë lejuar përdorimin e vaksinës ruse për popullsinë e tyre.
Procedura për marrjen e aprovimit të “Sputnik V” nga Agjensia Europiane e Barnave ka nisur që në muajin Mars. Ndërkaq, dy Shtete të BE-së, Hungaria dhe Sllovakia edhe pa aprovimin e EMA-s, janë duke e përdorur prej kohësh vaksinën ruse. Deri më tani, në BE janë aprovuar nga EMA vaksinat e Pfizer/Biontech, Moderna, Astra Zeneca dhe Johnson&Johnson, të gjitha të prodhuara në vendet perëndimore. /abcnews.al