Mazhoranca qeverisëse në Maqedoni i ka gjetur votat shtesë dhe përmes një votimi i ka hapur rrugë miratimit të ndryshimeve kushtetuese. Ndërkohë, partia VMRO-DPMNE ka përjashtuar nga radhët e saj 7 deputetë që thuhet se ofruan votat e tyre për marrëveshjen e Prespës. Opozita ka aluduar se ligjvënësve të saj u janë ofruar miliona euro për të dhënë votën.
Kuvendi i Maqedonisë me 80 vota “për” ka votuar propozimin për hapjen e procedurës për ndryshime kushtetuese ashtu siç parasheh Marrëveshja e Prespës. Kanë votuar të gjithë deputetët e shumicës parlamentare, si dhe tetë deputetë të opozitës. Koordinatori i Grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së Dragan Danev kërkoi votim individual që në fakt konfirmoi votimin paraprak.
Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit të Maqedonisë: “Nga votat e numëruara individuale konfirmohet votimi paraprak, 80 vota “për” dhe 39 “kundër’ dhe konstatoj se Kuvendi miratoi vendimin për qasjen e ndryshimeve në Kushtetutë”.
VMRO-DPMNE-ja ndërkohë, ka përjashtuar nga partia shtatë deputetët që kanë votuar për ndryshimet kushtetuese informoi lider i partisë Hristijan Mickoski duke e quajtur ditën e djeshme “e premte e zezë”.
Hristijan Mickoski: “Ata shtatë deputetë të VMRO-DPMNE-së që vepruan në kundërshtim me qëndrimin partiak dhe vullnetin e qytetarëve e që ishte edhe qëndrim partiak i Komitetit Ekzekutiv dhe atij qendror dhe në koordinim me grupin parlamentar më dëshpëruan mua, por edhe partinë e atdheun dhe duhet që të jetojnë me këtë”.
Ndërkaq kryeministri Zaev ka theksuar se deputetët që votuan pro ndryshimeve kushtetuese do ta kenë mbështetjen institucionale dhe se nuk duhet të frikësohen për sigurinë e tyre.
Zoran Zaev: “Institucionet do të veprojnë sipas ligjit dhe është siguruar garanca e votës së tyre si deputetë, atyre personalisht dhe familjeve të tyre dhe institucionet janë të gatshme të reagojnë menjëherë konform ligjit nda cdo kërcënimi që do të vijë. Maqedonia gjendet para një vendimi serioz dhe ne do të reagojmë”.
Në Kuvendin e Maqedonië gjatë të premtes ka pasur situata të paparashikueshme, ku disponimi ndryshohej nga çasti në çast. Opinioni ishte cak i zërave dhe spekulimeve të ndryshme. Nga opozita akuzuan se janë dhënë shuma të majme parash me qëllim që deputetët e tyre t’i votojnë ndryshimet kushtetuese. Nga mazhoranca këto informata janë përgënjeshtruar duke paralajmëruar edhe kallëzime përkatëse.
“Një deputeti i janë ofruar 1 milion euro të votojë për Marrëveshjen dhe kjo është refuzuar, një tjetri i janë ofruar dy millionë euro, të tretit 250 mijë euro dhe të gjithë janë refuzuar sepse dinjiteti nuk ka çmim”.
“Ashpër i përgënjeshtrojmë gënjeshtrat se përfaqësues të mazhorancës kanë bërë presione dhe se deputetëve u janë ofruar para, se dikush është kërcënuar e shantazhuar. Për këto gënjeshtra do të dorëzojmë kallëzime përkatëse”.
Në fakt, votimi i mbrëmshëm ishte vetëm faza e parë ku do të pasojnë edhe të tjera deri në kompletimin e procesit. Qeveria do të intervenojë me katër amendamente në Kushtetutë. Vijon afati prej 15 ditëve për dorëzimin e amendamenteve, por sipas kryeministrit Zaev, nëse përfundohet më herët atëherë edhe parlamenti grek më herët do ta ratifikojë vendimin./abcnews.al