Gara për kreun e PD, Edith Harxhi prezanton programin: T’i jepet fund emërimeve nga kryetari

schedule09:15 - 27 Maj, 2021

schedule 09:15 - 27 Maj, 2021

Edith Harxhi, kandidatja për kreun e PD ka prezantuar programin e saj politik të cilit pritet ta prezantojë ditën e sotme para anëtarësisë. Harxhi ka veçuar pikat kryesore të programit ku thekson se PD duhet t’u kthehet anëtarëve të saj dhe t’i jepet fund emërimeve nga ana e kryetarit apo kryesisë së partisë.

Një pikë tjetër e programit të Harxhit është decentralizimi dhe autonomia e degëve të Partisë nëpër qarqet e vendit ndërsa kërkon që të vendosen debati dhe konkurrenca e lirë brenda Partisë. Harxhi shprehet se ky programi është një projekt i ri i ngritur mbi vlerat e viteve ’90 dhe shënon nisjen e një dekade të re në politikën shqiptare.

Programi i plotë

Të nderuar demokratë, të nderuar miq,

Sot po prezantoj programin tim politik si Kandidate për Kryetare e Partisë Demokratike.

Ky program është përgatitur me dëshirën më të mirë për të reformuar Partinë Demokratike, për ta ringritur atë dhe për ta bërë fituese në një kohë sa më ta shkrurtër. Besoj se ky është programi më ambicioz dhe i djathtë që është paraqitur deri më sot nga një kandidat për Kryetar të një partie politike në Shqipëri.

Ky program është një projekt i ri mbi parimet dhe vlerat e ’90-ës dhe shënon nisjen e një dekade të re në politikën Shqiptare. Bazat e këtij programi janë: ideologjike, statutore- strukturore dhe politike. Partia jonë ka nevojë për një transformim të thellë.

Sot kemi mundësinë që, njësoj si në vitin 1990, 1992 dhe 2005, të ngrihemi në lartësinë që kërkojnë qytetarët shqiptarë dhe sfidat e mëdha të së ardhmes së kombit tonë, në çdo trevë shqiptari. Partia Demokratike, duke adresuar problemet ideologjike dhe strukturore që ka, shumë shpejt do të rikthehet në forcë qeverisëse e vetme. Për të arritur këtë duhet patjetër që:

Ø Partia Demokratike t’iu kthehet anëtarëve të saj dhe t’i shërbejë interesit qytetar;

Ø Të vendosen debati dhe konkurrenca e lirë brenda Partisë;

Ø T’i jepet fund emërimeve nga ana e Kryetarit apo Kryesisë së Partisë;

Ø Të mundësohet decentralizimi dhe autonomia e degëve të Partisë nëpër qarqet e vendit.

Ø Të ndodhë bashkimi i Partisë rreth vlerave dhe parimeve të djathta dhe rikthimi i çdo personalitetit e kontribuesi, që prej themelimit të Partisë dhe atyre që e konsiderojnë Partinë Demokratike shtëpinë e tyre. Kështu do të arrijmë një ringritje, bashkim dhe forcim të së djathtës shqiptare;

Ø Te pranohen të rinjtë shqiptarë dhe kontributi, idetë dhe vizioni i tyre të jenë pjesë e programit qeverisës. Forumi Rinor dhe Lidhja Demokratike e Gruas duhet të ketë të drejta si gjithë anëtarësia e Partisë dhe anëtarët e FRDP-sëdhe LDGSH-së të jenë anëtarë partie. Në kohën e inteligjencës artificiale, idetë e reja dhe vizioni për të ardhmen duhet të jenë pjesë e rëndësishme e Partisë Demokratike.

Ø Partia të ketë një Akademi Politike funksionale, e cila do të trajnojë brezin e ri të politikanëve të djathtë.

Duke ringritur Partinë Demokratike dhe të djathtën shqiptare, ne do të arrijmë të krijojmë besimin e duhur te qytetarët shqiptarë dhe me votë do të rikthehemi shumë shpejt në forcë qeverisëse. Ndryshimi fillon nga shtëpia jonë.

Ky program është i ndarë në disa kapituj:

  1. Ndryshimet e propozuara statutore dhe organizative
  2. Shtyllat ideologjike dhe programore të Partisë Demokratike. Shtresa e mesme, të shkolluarit, rinia dhe diaspora, si pjesë e pandashme e Partisë Demokratike
  3. Të përndjekurit politikë dhe pronarët e ligjshëm, si shtyllat bazë të Partisë Demokratike dhe antikomunizmi si parim themelor
  4. Patriotizmi, çështja kombëtare dhe përkatësia euroatlantike
  5. Lufta pa kompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar
  6. Ekonomia e tregut dhe vendosja e kapitalizmit në vend
  7. Ringrihemi së bashku për të shpëtuar Shqipërinë – Për një PD dhe të djathtë antikomuniste, euro-atlantike, patriotike e demokratike

Ne do të vijmë në pushtet me një program qeverisës të denjë për të djathtën, shtyllat kryesore të të cilit do jenë:

ü liria e individit,

– antikomunizmi dhe dëmshpërblimi i të persekutuarëve dhe pronarëve të ligjshëm,

– çështja kombëtare dhe interesi kombëtar,

– lufta kundër korrupsionit dhe fundi i tenderëve të përcaktuar,

– listat plotësisht të hapura për zgjedhjet e përgjithshme dhe këshilltarë vendorë,

– rinia shqiptare dhe punësimi i tyre,

– prodhimi dhe jo vetëm konsumi bujqësor dhe industrial, si dhe mbrojtja e prodhimit shqiptar përballë importit,

– ngritja e turizmit, bujqësisë dhe energjetikës mbi baza të një konsensusi kombëtar dhe jo vetëm mbi nivele tarifore.

Zotimi im, nëpërmjet shtyllave të paraqitura më lart, është pikërisht ky: Një Parti Demokratike ideologjikisht e qartë, e fortë, antikomuniste, euroatlantike, meritokratike, e kthyer në shtëpinë e të gjithë të djathtëve dhe qytetarëve të lirë.

Duke qënë se është e pamundur të publikoj si një të tërë këtë program, publikimin e tij të plotë do ta bëjë në këtë rrjet me pjesë dhe me anë të një linku duke nisur nga data 27 maj 2021.

Ju falenderoj Edit Harxhi

/mv.abcnews.al