“Emocione që u hapin familjarëve plagë”, Gërxhaliu: Gërmimet në Kizhevak me shumë sfida

schedule22:27 - 26 Maj, 2021

schedule 22:27 - 26 Maj, 2021

Drejtori i Instituti të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, ka folur për gërmimet në Kizhevak të Serbisë, prej të cilave së fundi u gjetën eshtrat e nëntë personave, viktima të krimit të forcave serbe të luftës në Kosovë.

Ndërkaq lidhur me qasjen e politikës karshi çështjes së të pagjeturve, Gërxhaliu u shpreh se nuk e di nëse deri tani ka ndonjë marrëveshje mes palës serbe dhe kosovare.

“Nuk kam informacion rreth asaj marrëveshjeje. Nuk e di saktë, sepse unë nuk kam qenë vet pjesë e atij ekipi. Sa i përket punës profesionale apo procesit, për mua është një proces humanitar. Dhe, nëse çdo gjë fillon nga ky proces, besoj që ana politike do të jetë vetëm suportuese në këtë aspekt. Por thjeshtë ndoshta kjo periudhë e gjatë, për mua si mjek, nuk jam lëshuar në këto pyetjet politike – qëllimi im është profesional me ekipin tim, dhe thjeshtë identifikimi i sa më shumë personave të zvogëlimit të numrit të personave të zhdukur”, tha Gërxhaliu për Klan Kosovën.

Ai pohon se puna e tyre profesionale përcillet me shumë sfida.

“Tani më veç jemi rritur si Institut. Kemi punuar në dy ekipe. Procesi është i tillë që merr kohë dhe në këtë lokacion, Kizhevak, kemi filluar të vijmë që nga vitit 2015 dhe janë larguar me miliona kubikë gurë, dhe mbetje që po i shihni që i kanë hedhur nga miniera, të cilat kanë qenë nga niveli zero. Niveli zero, për ne është niveli i vitit 1999”, tha ai.

Po ashtu ai shtoi se, “emocionet janë të përziera në këto momente, sepse na kthejnë prapa, e aq më tepër kur familjarëve iu rihapen plagë. Por, në fakt, meqë puna jonë profesionale e kërkon këtë, për ne është një gëzim i madh kur hasim këtë, sepse është punë e mundimshme gjashtëvjeçare ta gjesh atë çfarë e kërkon”.

“Në fakt ky lokacion ndërlidhet me dy varrezat e zbrazëta në Batajnicë. Thjeshtë ne e kemi prijudiku, se do të jenë nga Rezalla. Ashtu edhe na doli, por nuk kemi insistuar në atë fakt, siç nuk kemi insistuar edhe në numrin. Nga faza e parë e vitit të kaluar kur janë hasur mbetjet e para mortore, e deri kur është bërë konzvervimi i vendit, janë ardhë dy identifikime të reja, dhe një ribashkim”, tha Gërxhaliu.

Ndërkaq ai foli edhe për vendndodhjet nëpër të cilat kryejnë gërmimet.

“Vitin e kaluar kemi kontrolluar edhe një herë regjionin e Gozarevës, në afërsi të Novi Pazarit. Edhe ai regjion thuajse nga viti 2015 pothuajse kontrollohet. Por meqë informatori i ka të dhënat nga bartësi tjetër, nuk i ka vetanake, është një pjesë e lumit që ka katër kthina, që janë të njëllojta. Edhe nga kontrolli i fundit nuk ka dalë asgjë, andaj kemi marrë kërkesën për marrje satelitore, gjë që na ka ndihmuar edhe në këtë vend”, u shpreh ai. /abcnews.al/