Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski së bashku me homologun e tij bullgar Rumen Radev nga aeroporti i Shkupit udhëtuan për në Romë për të festuar bashkarisht përvjetorin e vëllezërve Cirili dhe Metodi.
Vizita dhe udhëtimi i përbashkët me aeroplanin shtetëror bullgar të të dy delegacioneve vlerësohet si një hap drejt ngrohjes së klimës mes dy vendeve dhe në momentin kur në tryezë është vendosur propozimi portugez për zgjidhje të kontestit ndërmjet Shkupit dhe Sofjes dhe për zhbllokim të procesit të eurointegrimit të Maqedonisë së Veriut.
Radev mbërriti në Shkup pasi paraprakisht qëndroi në Bruksel nga ku erdhën sinjale optimiste për një shkrirje të mundshme të marrëdhënieve bashkë me zgjidhjen që do të mundësonte çeljen e negociatave të Shkupit me Brukselin: “Mbështetja e BE-së është me rëndësi, por më me rëndësi është mbështetja e Bullgarisë dhe që të ndodhë kjo duhet të ulemi qetësisht dhe sinqerisht në tryezë dhe të precizojmë të gjitha problemet mes nesh dhe si të zgjidhen. Ne duam të shohim proces të qëndrueshëm dhe të pakthyeshëm, jo vetëm deklarata”, deklaroi Radevi.
Edhe ministri i ri bullgar i Punëve të Jashtme, Svetlan Stoev, paralajmëroi se prioriteti i tij i parë do të jetë kthimi i besimit dhe intensifikimi i dialogut dypalësh midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Ne jemi të hapur për dialog. Ajo që nevojitet është qëndrueshmëria, qëndrimi konstruktiv në dialog dhe mund të them se qëllimi është të arrihen rezultate të qëndrueshme dhe rezultate të pakthyeshme në vendosjen e besimit midis të dyja vendeve”,ka thënë Stoevi.
Osmani: Samiti i qershorit shans real për RMV-në
Ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani deklaroi se rruga e vendit drejt Bashkimit Evropian kalon përmes Bullgarisë, pa miratimin e së cilës nuk mund të fillojnë negociatat inkuadruese, por se Sofja nuk duhet ta lëshojë këtë mundësi nëse dëshiron Ballkan të qëndrueshëm.
“Bullgaria nuk duhet ta lëshojë mundësinë e samitit e qershorit të BE-së që t’i miratohet vendit që t’i fillojë negociatat për anëtarësim, nëse dëshiron Ballkan të qëndrueshëm”, theksoi Osmani.
Vazhdon përkrahja gjermane për eurointegrimet e Ballkanit
Ministri shtetëror gjerman për Evropën, Michael Roth, do të udhëtojë për vizitë dyditore në Maqedoninë e Veriut. E ardhmja e Procesit të Berlinit dhe çështje lidhur me perspektivën evropiane të vendit dhe rajonit do të jenë tema kryesore të bashkëbisedimit me diplomatin e lartë gjerman thonë nga Sekretariati për çështje evropiane.
“Duke pasur parasysh angazhimin e zëshëm dhe aktiv të Gjermanisë gjatë kohës dhe pas kryesimit me BE-në, kjo vizitë paraqet vazhdim të përpjekjeve gjermane për qasje të përbashkët në rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut”, theksohet në kumtesën e SÇE-së.
Ministri shtetëror gjerman për Evropën Michael Roth para arritjes në Shkup tha se është koha e fundit që Bashkimi Evropian t’i përmbushë premtimet e tij për fillimin e negociatave për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
“Ardhmëria e Ballkanit Perëndimor është evropiane, tani duhet të veprojmë vendosmërisht që të mos ketë asnjë dyshim për këtë ardhmëri”, shkroi në “Twitter” Michael Roth./DW/