Moderatorja e “E ardhmja është vajzë” e ka nisur mbrëmjen e sotme me një mesazh të fortë, marrë spunto nga përdhunimi i 15-vjeçares në Lezhë.
Ajo “ka kërcënuar” duke u shprehur se nëse vajzat do të vijojnë të keqtrajtohen, nënat e tyre do të çojnë zërin aq sa nuk e imagjinoni.
Sipas Çaushollit, nënat nuk do të kenë as ligj dhe as Zot t’i ndalojë për të mbrojtur vajzat e tyre dhe për të vendosur në vend dinjitetin.
Mesazhi i Çaushollit:
Doja sot të dashur miq ta filloja me një mesazh. Të gjithë jemi dëshmitar të një aktualiteti, i cili herë pas here na sjell lajme të këqija për vajzat. Por lajme të këqija do të jenë edhe për ata që dhunojnë vajzat, nëse këto lajme do të vijojnë të jenë pjesë e ditës sonë. Të gjithë së bashku, në një veprim të vogël ose të madh si mbas mundësive të kontribuojmë në luftën kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Është e rëndësishme që ky mesazh të vijë nga ky program miqtë e mi dhe është një mesazh i butë, ashtu siç nënat dinë të flasin, ashtu siç nënat dinë t’ju këndojnë fëmijëve të tyre, qofshin vajza, qofshin djemë. Por ndërkohë nënat e vajzave do të çojnë zërin aq sa nuk e imagjinoni, nëse vajzat e tyre do vijojnë të keqtrajtohen apo të dhunohen. Nënat e vajzave nuk do të kenë as ligj dhe as Zot t’i ndalojë për të mbrojtur vajzat e tyre dhe për të vendosur në vend dinjitetin e vajzave të tyre. l.k/abcnews.al