Nuk do të ketë ulje të tarifave për studimet e larta, as në nivelin Bachelor dhe as për atë Master pavarësisht se viti akademik është zhvilluar online.
Rektori i Universitetit te Tiranës, Artan Hoxha tregoi se kërkesa e një grupi studentësh i ka mbërritur në zyrë, por reduktimi I pagesave është i pamundur.
“Ulja e kostove tek ne është fare minimale. Është në rendin 1 e 1.5% të buxhetit që Universiteti i Tiranës shfrytëzon në realizimin e detyrimeve që ka. Çështja nuk është se Universiteti i Tiranës ka kursyer sepse ka shpenzuar në drejtime të tjera”, tha ai.
Për të ulur shpenzimet për studentët Rektori i Universitetit të Tiranës deklaroi se shumica e provimeve do të zhvillohen online.
“Vendimmarrja e Rektoratit të Universitetit të Tiranës është që në përgjithësi provimet e semestrit të dytë dhe përmbyllja e detyrimeve të këtij viti akademik do të bëhet online. Ne nuk do t’i ngarkojmë studentët dhe familjet e tyre me kosto shtesë”,tha ai.
Lehtësira për studentët për shkak të pandemisë së Covid-19 po aplikojnë shumë prej universiteteve në vendet europiane.
Në Itali disa prej institucioneve të arsimit të lartë kanë hequr tarifat e studimit ose i kanë shtyrë ato në kohë. Në Francë studentëve iu janë premtuar vakte me çmime të arsyeshme dhe mbështetje psikologjike falas.
/abcnews.al/