Putin: ISIS mban 700 pengje në Siri

schedule10:18 - 19 Tetor, 2018

schedule 10:18 - 19 Tetor, 2018

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka njoftuar se në Siri po mbahen 700 pengje nga ISIS. Mes tyre ka edhe shtetas amerikanë dhe evropianë. Ai paralajmëroi se xhihadistët kërcënojnë të vrasin 10 prej tyre në ditë.

Xhihadistët e ISIS kanë kapur në Siri, në zonën lindore të Eufratit, që në teori kontrollohet nga koalicioni i SHBA-ve, “700 pengje”, mes të cilëve edhe “shtetas amerikanë dhe evropianë” dhe kërcënojnë të vrasin “10 në ditë”. Një rrufe në qiell të hapur. Ai që e lëshoi ishte presidenti rus, Vladimir Putin në sajë të një eventi dedikuar politikës ndërkombëtare në Soçi. “Është një katastrofë dhe askush nuk thotë gjë çuditërisht”, nënvizoi Putin. Ai gjithashtu bëri me dije se 10 ekzekutimet e para kanë ndodhur disa ditë më parë.

Presidenti rus lëshoi bombën kur diskutimi u kthye nga Siria dhe rolin që luajti Moska në zgjidhjen e krizës. “Ne – nënvizoi ai – kemi çliruar 95% të territorit sirian në këto vite dhe nuk kemi lejuar që shteti të shpërbëhet”. Natyrisht, puna ende nuk është përfunduar dhe në këtë drejtim Putini ka pranuar se Turqia, në kundërshtim me atë që u premtua gjatë samiteve të fundit, ende nuk ka përfunduar krijimin e zonës së çmilitarizuar në krahinën siriane të Idlibit, edhe pse është “duke punuar” . “Gjërat nuk janë të lehta, përkundrazi, gjithçka është e vështirë”, shtoi Putin, duke falënderuar Ankaranë për përpjekjet e bëra.

Në fakt janë SHBA-të dhe aleatët e tyre, është arsyetimi i Putin, që nuk kanë bërë mjaftueshëm. “Shtetet e Bashkuara qartësisht nuk kanë arritur objektivat”, nënvizoi ai. Përkundrazi, ISIS, në zonën e tyre të kompetencës, kanë shtuar prezencën. Sipas shefit të Kremlinit, xhihadistët kanë shtruar kërkesa duke lëshuar dhe ultimatume dhe kërcënime. Më tej Putin i bëri apel komunitetit ndërkombëtar për të bashkuar përpjekjet për të shkatërruar terrorizmin. Sipas tij ky fenomen nuk është mposhtur ende, madje janë regjistruar humbje të mëdha./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!