Ulja e shifrave, Bino: Maskat të panevojshme në ambiente të hapura, çfarë do të ndodhë me dasmat

schedule22:27 - 25 Maj, 2021

schedule 22:27 - 25 Maj, 2021

Në “Log” me Endri Xhafon diskutohet sonte për situatën epidemiologjike në vend si dhe masat anti-Covid.

Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë pranë ISHP-së, Silva Bino tha ndër të tjera se duke gjykuar nga numrat në rënie, ajo vetë personalisht do të sugjeronte që maskat të mos mbahen më në ambiente të hapura.

Megjithatë, Bino theksoi se virusi mbetet mes nesh e për këtë arsye, maskat duhen mbajtur në ambiente të mbylluara si marke apo qendra tregtare.

Silva Bino argumentoi se maskat duhen mbajtur në ambiente të mbyllura nga të gjithë pasi mund të ketë persona që e kanë kaluar sëmundjen por nuk kanë fituar imunitet. Rrezik sipas saj mbeten edhe versionet e ndryshuara të virusit.

“Do sugjeroja, personalisht që mbajtja e maskave në publik të mos mbahet më. Por mbajtja e maskave në ambiente të mbyllura… duhet të mbajnë të gjithë maska. Në markete, në qendra tregtare. Në vende ku ka grumbullime njerëzish duhen mbajtur. Ka njerëz që edhe pse e kanë kaluar, nuk kanë krijuar imunitet dhe mund të riinfektohen. Mund të kemi mutantë. Përderisa e kemi mes nesh… Covidi është sëmundje e re, nuk mjafton një vit për ta njohur. Ne duhet të jemi sa më të kujdesshëm, kjo do të vlerësohet pastaj në bazë të studimeve, për të parë edhe impaktin e vaksinave.”

Ndërsa, e pyetur se çfarë do të ndodhë me dasmat këtë verë, Bino tha se ato mund të organizohen, por jo me grumbullime të mëdha si zakonisht. Mirë do ishte që numri të jetë i reduktuar, më pak se 100 persona. sb/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!