Moderna ka deklaruar se vaksina e saj është e sigurt dhe efektive në parandalimin e Covid-19 tek adoleshentët. Në provën e Fazës së tretë te 3,732 fëmijë të moshës 12 deri 17 vjeç në Shtetet e Bashkuara, testet e gjakut treguan se vaksina prodhoi një përgjigje imune që ishte ekuivalente me studimet e mëparshme tek të rriturit.
Sidoqoftë, vëzhgimet fillestare zbuluan se asnjë nga fëmijët që morën vaksinën nuk u sëmur me Covid-19 duke filluar 14 ditë pas dozës së dytë. Katër nga fëmijët që morën placebo rezultuan pozitivë me Covid-19.
Kompania gjithashtu rishikoi të dhënat se sa efektive është vaksina pas dozës së parë. Rezultatet tregojnë që pas një doze, vaksina ishte 93% efektive në parandalimin e rasteve të lehta të Covid-19, duke përfshirë vetëm një simptomë në vend të dy ose më shumë simptomave.
Sigurisht që vaksina do të ketë edhe disa efekte anësore por nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Efektet anësore përfshijnë dhimbje koke, lodhje, dhimbje muskujsh dhe të dridhura pas marrjes së dozës së dytë. Ndonjëherë edhe dhimbje në vendin e injektimit.
Moderna tha se planifikon të dërgojë rezultatet në Administratën e Ushqimit dhe Barnave në SHBA në fillim të qershorit së bashku me një kërkesë për autorizim emergjent të vaksinës tek adoleshentët. Moderna është autorizuar për përdorim tek personat mbi 18 vjeç. Ndërsa Pfizer / BioNTech është e autorizuar për përdorim tek personat e moshës mbi 12 vjeç./abcnews.al