Ftesën e kryeministrit Edi Rama, kreu i PD-së Lulzim Basha e quajti diversion për të mbuluar vjedhjen e zgjedhjeve më 25 Prill. Gjatë një takimi me anëtarë të PD në Berat, Basha deklaroi se nuk i duhet dhënë kënaqësia kundërshtarit për të ndërprerë rrugëtimin e nisur.
“Hajduti e di krimin që ka bërë. Përmes diversioneve mendon se do e kalojë lumin. Mos t’ia japim kënaqësinë kundërshtarit që të ndërpresim rrugëtimin që e kemi nisur bashkë. Ta ԭdo jmë deri në fund këtë betejë me vlerat që e kemi nisur.
Ne nuk përdorim shtetin dhe fondet publike për të blerë vota. Ne përdorim vetëm fuqinë e mendjes. Kush mendon se do të na ulë në gjunjë e ka gabim. Duhet të dalim të bashkuar nga kjo garë e brendshme që është një përfitim dhe na jep kohë të flasim me njëri tjetrin drejtpërdrejtë. Këtë qëndresë nuk e zgjodhët për ardhjen në pushtet timen apo tuajën”, tha Basha.
Ai deklaroi se qëndresa nuk bëhet për të por për veten ndërsa shtoi se shqiptarët besuan te PD. Basha u shpreh se PD është më e madhe se kryetari apo anëtari, arritjet apo gabimet.
“Tani e vërteta është që se kemi bërë këtë punë për Bashën, apo jo? As për Tomorin, as për Kasemin, as për kandidatët e tjerë. S’e kemi bërë për veten tonë. Shqiptarët na ndoqën sepse e besuan që ne po e bënim këtë për ta, këtë betejë po e bënim për Ta, të vetëdijshëm që ne ishim e vetmja fuqi që mund t’i kundërviheshim regjimit. Dhe shqiptarët kam bindjen e thellë do të vazhdojnë të na ndjekin nëse japim garanci që betejën do ta vazhdojmë për ta.
Por barra e përgjegjësisë padiskutim historike bie mbi ne. Prandaj jo vetëm u jam përjetësisht mirënjohës për këtë sakrificë të çdo demokrateje dhe çdo demokrati të Beratit, të Skraparit, Poliçanit, të Kuçovës, të Urës Vajgurore dhe të gjithë Shqipërisë, por po kështu ju siguroj që asnjë pikë djersë dhe mund nuk mund dhe nuk do të shkojë kot nga ky vetëmohim dhe nga kjo sakrificë.
Me përgjegjësinë më të madhe që na kanë ngarkuar shqiptarët përkundër të gjithë kushteve të betejës së 25 prillit, jam këtu t’ju kërkoj të vazhdojmë së bashku këtë përballje. I vetëdijshëm për të gjitha çfarë kemi arritur bashkë, pavarësisht asaj dhe atyre që kishim përballë, por po kështu të gatshëm për të pranuar, për të ndrequr gjithçka që është në dorën tonë për t’u ndrequr.
Unë e di që ju e doni Partinë Demokratike të jetë e bashkuar dhe e fortë dhe ju garantoj që ky është dhe prioriteti im i parë dhe kryesor që nga kjo garë, nga ky proces i brendshëm të dalim të bashkuar dhe të fortë.
Partia Demokratike është më e madhe se gjithsecili prej nesh, duke filluar nga kryetari e deri tek anëtari më i thjeshtë dhe është edhe më e madhe se arritjet apo gabimet e gjithsecilit prej nesh, por vetëm bashkë me të gjitha arritjet dhe gabimet tona e di se mund dhe do t’ia dalim në krye për ta çuar deri në fund misionin me të cilën e kemi nisur betejën për ndryshim”, u shpreh Basha./mv.abcnews.al