“Investova paratë e dasmës”, Boss-i në arrati, flet shefja e financave të Thodex: Çfarë dija për arratisjen

schedule21:16 - 24 Maj, 2021

schedule 21:16 - 24 Maj, 2021

Prej disa javësh, “Boss-i” i kriptomonedhës turke, Faruk Fatih Ozer kërkohet në Shqipëri. Ndërkohë në Turqi, vijojnë të zbulohen detaje të tjera rreth mashtrimit të pretenduar që ai u bëri 400 mijë njerëzve duke përfituar një shumë marramendëse parash në formë virtuale.

Hetimet në lidhje me shkëmbimin e monedhës kripto Thodex po vazhdojnë, ndërsa mediat turke kanë zbuluar edhe dëshminë e një nga punonjësve të shumtë të Ozer në Turqi.

Rana Azap, 27 vjeç e cila ishte në krye të departamentit të financave, bëri rrëfime goditëse, ndërsa është  mes të arrestuarve që pretendohet se kanë lidhje me mashtrimin e bërë nga Faruk Ozer.

Ajo ka thënë para hetuesve se nuk ka lidhje dhe nuk e dinte për mashtrimin që Ozer do të bënte dhe më pas arratisjen e tij drejt Tiranës. E reja ka thënë se bashkë më bashkëshortin e saj ka investuar paratë e dasmës në kompaninë Thodex, ndërsa shton se edhe vetë është viktimë e mashtrimit.

Më tej 27-vjeçarja deklaroi se që kur u themelua kompania, vëllezërit Özer shpesh thoshin se situata ishte e keqe, por ata kishin reklamuar me të famshëm dhe situata financiare vetëm sa po rritej. Duke deklaruar se ata po përpiqen të tërheqin klientë me reklama, Azap nënvizoi se ata janë gjithashtu viktima. Ndërsa më tej ka shtuar “Ne investuam kursimet tona të dasmës, unë gjithashtu jam viktimë”, tha Rana Azap, ” Faruk Fatih Özer më tha,” Gjithçka do të jetë mirë ‘” .

Faruk Ozer rezulton të jetë futur në Shqipëri nga pika e kalimit kufitar të Rinasit më 20 prill të këtij viti, ndërkohë që kanë dalë dhe pamje filmike nga momenti kur ai është akomoduar në një prej hoteleve të kryeqytetit, nga një shtetas shqiptar, i cili ka deklaruar se nuk ishte në dijeni të veprës penale që kishte kryer biznesmeni turk.

Ndërkohë përmes një postimi në Twitter Ozer mohoi akuzat, ku theksonte se kompania ishte në shënjestër të një fushate shpifjesh. Sipas tij, kompania pezulloi përkohësisht aktivitetin, pasi llogaritë treguan një aktivitet të pazakontë për shkak të një sulmi kibernetik.

Ozer gjithashtu tha që pretendimet se paratë ishin zhdukur ishin të pavërteta, ndërkohë që mbetet e paqartë se pse ai nuk është dorëzuar ende, sa kohë që beson në pafajësinë e tij. Policia shqiptare ka dhënë një shpërblim prej 50 mijë dollarësh, për të gjithë personat që japin informacion mbi vendndodhjen e tij. E.L/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!