Një punonjës policie i sektorit të anti-drogës në Durrës është pezulluar nga detyra ndërsa është shpallur në kërkim për “Shpërdorim detyre“ dhe “Prodhim e shpërndarje të lëndëve narkotike”. Polici nën akuzë është Edvin Sinani. Ai kishte vetëm një vit pjesë e sektorit të anti-drogës ndërsa u zbulua pas hetimit të SHÇBA-së.
Për cfarë akuzohet polici?
Gjatë ushtrimit të detyrës, ky punonjës policie sipas SHÇBA-së dyshohet se organizonte persona për të shpërndarë lëndë narkotike në vende të ndryshme të qytetit të Durrësit, të cilët nga ana tjetër i jepnin informacione për shpërndarës të tjerë, me qëllim goditjen e tyre nga ana e punonjësit të policisë.
Gjithashtu, “specialisti i antidrogës në bashkëpunim me këta persona, organizohej duke i veshur me uniforma policie për të bërë të mundur kapjen e shpërndarësve të lëndëve narkotike dhe më pas i lironin duke mos ushtruar ndjekje penale ndaj tyre” deklaron SHÇBA.
Mbi bazën e regjistrimit të procedimit penal dhe në përfundim të hetimeve paraprake, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës vendosi caktimin në mungesë të masës së sigurimit personal ndalues ”Pezullim i ushtrimit të një detyre a një shërbimi publik” ndaj Sinanit, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre”.
Për bashkëpunëtorët e tij, hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës. SHÇBA deklaron se mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të shkeljes së ligjit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90./ db/ Abcnews.al