Shqipëria kthehet me medalje bronzi nga Kampionati Europian i mundjes deri në 23 vjeç. Mundësi i Tiranës, Bajram Sina, zuri vendin e tretë në Shkup
Pjesëmarrjen e patëm të mirë dhe një sukses të rëndësishëm e arritëm. Kombëtarja shqiptare e mundjes u kthye me medalje bronzi nga Kampionati Europian U23, që u zhvillua në Shkup të Maqedonisë së Veriut.
Nga 9 pjesëmarrës kuqezinj, më i forti doli mundësi Bajram Sina, në peshën deri 55 kg në stilin greko-romak. Në ndeshjen e parë, mundësi nga Tirana triumfoi kundër Maksim Stupakeviçit të Bjellorusisë, duke i bërë një nisje të mirë Europianit.
I drejtuar nga trajneri Altin Bulku, ia doli me shifrat 4-2 duke kaluar nga faza kualifikuese për në çerekfinale. Aty ai pati përballë një nga dy mundësit më të mirë të kategorisë, turkun Adem Burak Uzun, ndaj të cilit nuk mundi të konkurronte siç duhet dhe humbi me rezultatin e thellë 9-0.
Vlen të theksohet se mundësi turk arriti deri në finale, duke dalë barazim 3-3 ndaj Alijevit të Azerbajxhanit, e duke e humbur medaljen e artë vetëm për pak.
Sina e vazhdoi garën në Europianin U23, duke qenë pjesë e dy ndeshjeve për medaljen e bronzit. Ai sfidoi për vendin e tretë bullgarin Denis Krasimirov Demirov. Ishte një përballje shumë e fortë, që përfundoi në favor të shqiptarit me rezultatin 12-9.
Në këtë mënyrë, Sina arrin suksesin më të rëndësishëm të sportit shqiptar për mosha të reja, duke fituar një medalje bronzi europiane, e duke bërë një paraqitje që premton për të ardhmen, në mënyrë që të ndjekë gjurmët e mundësve të tillë si Elis Guri e Sahit Prizreni, kur të garojë në kampionatet për të rritur. /abcnews.al