Andrea Pirlo nisi rishtazi punën e tij si trajner në nisje të këtij sezoni dhe mori drejtimin e një peshe të rëndë si Juventusi. Aventura e parë si trajner nuk shkoi në mënyrën e duhur dhe flitet shumë për shkarkimin e tij, por një ish-trajner me shumë eksperiencë si Fabio Capello e mbron.
Ish-trajneri i juventusit shprehet se Pirlo vuajti dhe humbi kohë prej mungesës së eksperiencës dhe se tashmë gjithçka ka ndryshuar. Sipas Capellos tashmë Juventusi i Pirlos ka fituar identitet.
“Pirlo humbi kohë në fillim me ambientimin e tij, të kalosh nga roli i futbollistit te ai i trajnerit është krejtësisht diçka tjetër. Duke shtuar këtu edhe faktin se ai nuk kishte drejtuar më parë asnjë ekip të rinjsh dhe duke mos pasur përgjegjësi më parë, përfundoi duke e paguar.
Por, së fundmi më duket se ka ide shumë të qarta, lë jashtë ata që duhet të lërë jashtë dhe mbi bazën e ideve të tij aktivizon ata që sjellin rezultat. Tani Juventus ka identitet të njohur që bazohet mbi vendosmërinë”, u shpreh Capello. /abcnews.al