Muzeu i veçantë në shkollën e fshatit Gizhavesh të Librazhdit

schedule15:40 - 23 Maj, 2021

schedule 15:40 - 23 Maj, 2021

Nga Agim Blloshmi

Mësuesi i historisë Ali Buzra ka iniciuar ngritjen e këtij muzeu në shkollën e Gizhaveshit në Librazhd. Në të pasqyrohet historinë e Shqipërisë dhe ajo 200 vjeçare e fshatit të tij. Për mbledhjen e të dhënave dhe objekteve të vendosur në këtë muze kanë kontribuar djem të fshatit që kanë emigruar në Londër, por dhe nga banorë të zonës.

“Është ngritur në 2018 vitin që do dilja në pension. Është një kabinet muze, pasqyron historinë e Shqipërisë dhe zonës tonë. Kemi mjaft material burimore. Këtu kemi dhe materiale arkeologjike dhe etnografike që i kam siguruar në fshat,” rrëfen ai.

Tek stendat janë paraqitur fotot dhe kontributi i figurave të Rilindjes Kombëtare dhe atyre të Librazhdit.

“Këtu pasqyrohet lufta e Shkodrës që drejtohej nga Hasan Riza Pasha, pas eliminimit të tij u drejtuan nga Esat Pashë Toptani. Në luftën e Shkodrës kanë marrë pjesë dhe luftëtarë nga Gizhaveshi dhe Dorëz. Daut Gurra, hoxhë Rexhep Buzra,” thotë Buzra.

Ndërsa në këtë ambient janë vendosur veshje dhe objekte artizanale që dikur ju shërbenin banorëve.

“Janë afërsisht 400 objekte etnografike që pasqyrojnë jetesën e banorëve në vitet e shkuara. Deri dhe 200 vjeçare. Është sofra, saçi, kemi një sharrë krahu objekte ndriçimi. Këto përdoreshin nga gratë për të endur leshin. Janë bërë nga zejtarë. Këtu grinin duhanin. Këto janë mbajtëse municionesh nga italianët që I transportonin në mal me kafshë. Ndërsa fshatarët tanë i përdorën më pas për të mbajtur gurrë. Kjo është njësi matëse dume, që merr 20 kg. E përdornin për të peshuar grurin, misrin,” shprehet ai.

Ky muze jo vetëm ju shërben nxënësve por vizitohet dhe nga të huaj që kanë lënë dhe shënime në gjuhën e tyre.

“Kjo është shkruar nga një Korean,” rrëfen Ali Buzra.  Në këtë shkollë më herët në 2015 kanë punuar dhe për ngritjen e një tjetër muzeu ku tregohet zanafilla e arsimimit të popullsisë të Gizhaveshit.

“Ky muze u ngrit në 70 vjetorin e hapjes së shkollës së parë shqipe në fshat. Fillimet I përkasin periudhës së pushtimit osman. Dihet që në atë kohë mësimi nuk ishte në gjuhën shqipe. Fëmijët kanë mësuar në gjuhën arabe. Një pjesë e tyre vazhduan shkollën në Stamboll. Një prej tyre është Abdulla Dobra që mbaroi për shkenca islame dhe u kthye në Gizhavesh. E më pas u kthyen të mësojnë fëmijët e Gizhaveshit,” shprehet ai.

Ai na njeh dhe me figura të tjera që u shkolluan në periudhën e Zogut.

“Në kohën e Zogut ku 80% e popullsisë ishte analfabete. Në Gizhavesh nuk kishte shkollë, kishte në Dorëz. Tre persona u shkolluan në Tiranë dhe Elbasan. Elmaz Koçi ka kryer shkollën normale në Elbasan, në vitet ’30. Bajram Buzra ka vazhduar shkollën teknike Hari Fullz në Tiranë dhe Ismail Buzra ka kryer gjimnazin në Tiranë. Elmaz Koçi në vitin 1943 ka qenë sekretar komune në Dragazh të Prizërenit i emëruar nga prefekti I asaj kohë i Elbasanit. ai mësonte dhe fëmijët kosovarë, kjo është një foto që Elmazi mësonte fëmijët kosovarë”.

Një tjetër mësues tregon se si e mblodhën informacionet.

“Kemi takuar banorë të vjetër dhe 100 vjeçarë që na kanë dhënë informacione. Do ngelet trashëgimi ai muze”. Një muze të tillë ku pasqyrohet arsimi, historia dhe etnografia nuk ka as në qytetin e Librazhdit. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!