Reperi i njohur shqiptar, Stresi, është arrestuar pas një hetimi disa mujor mes policisë dhe prokurorisë së Tiranës ndaj një grupi kriminal.
Në një njoftim për mediat, uniformat blu kanë dhënë detaje, ku thuhet se Arkimed Lushaj është një nga anëtarët e grupit kriminal që operon në Tiranë dhe që merret me trafik narkotikësh dhe krime kundër personit.
Për këngëtarin 31-vjeçar është dhënë ditën e sotme nga Gjykata e Shkallës së Parë masa e sigurisë arrest me burg për prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake.
Stresi u arrestua në një hotel në Linzë. Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientin ku po qëndronte atij iu sekuestrua një sasi e vogël kokaine, një pistoletë “Pjetro Beretta” si dhe 12 fishekë të modelit 7. 65 mm.
Gjithashtu filloi procedim penal në gjendje të lirë ndaj një 20-vjeçareje me iniciale P.Ç. për akuzën e moskallzimit të krimit.
Mbi Lushajn tashmë do të rëndojë edhe akuza e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.
Kjo nuk është hera e parë që këngëtari futet në probleme me drejtësinë. Më 13 Prill të këtij viti, ai u arrestua në një lokal në Tiranë pasi sëbashku me disa persona të tjerë u kap duke konsumuar lëndë narkotike.
Ndërkohë në vitin 2012, ai u arrestua gjatë kohës, që po dilte nga një lokal nate, pasi me vete kishte një pistoletë pa leje.
Gjithashtu në Janar të 2015-s, Stresi u arratis nga komisariati i policisë nr. 3 në Tiranë. Për këtë ngjarje u hetuan disa policë për mosveprime, ndërsa vetë këngëtari u shpall në kërkim. Atëherë ai ishte ndaluar pasi kishte shkelur rregullat e qarkullimit rrugor duke i dhënë makinës në gjendje të dehur./abcnews.al