Ronald Koeman, pas triumfit të Barcelonës ndaj Eibar me shifrat 1-0 në ndeshjen e fundit të La Liga, foli për të ardhmen e tij, për Barcelonën e sezonit të ri dhe për edicionin e luajtur.
“Mendoj se nuk është ndeshja ime e fundit me Barcelonën. Unë kam një kontratë. Ju flisni shumë për këtë temë, por unë jam i qetë. Nëse ka diçka që klubi dëshiron ta ndryshojë, duhet të flasë me mua.
Shumë të rinj kanë dëshmuar se janë lojtarë të mirë. Ekipi nuk është i plotë, megjithatë, ne kemi një ekip, që mund të jetë më efektiv në zonën sulmuese.
Sezoni nuk ishte i keq, nuk ishte as më i miri që mund të dëshironit, por nuk mund të kërkoni më të mirën çdo vit dhe veçanërisht nëse flisni për një ekip që po formohet nga e para. Kemi shumë të rinj, një ekip i gjithi i ri, shumë ndryshe nga Real Madrid dhe Atletico Madrid.
Ne jemi Barça dhe gjithmonë pritet t’i fitojmë të gjitha ndeshjet. Dua të përgëzoj Atleticon për sezonin e tyre. Janë ekipi që kanë qëndruar më gjatë në krye dhe kanë ndërtuar një skuadër të mirë”, tha ndër të tjera Ronald Koeman. /abcnews.al