Kampionat Botëror futbolli çdo dy vite, FIFA e paska seriozisht

schedule21:16 - 21 Maj, 2021

schedule 21:16 - 21 Maj, 2021

FIFA po e diskuton dhe në të ardhmen mund të ketë Kampionat Botëror një herë në dy vite dhe jo një herë në katër, sikurse ndodh tani. Diçka e tillë është diskutuar në  Kongresin e 71-të të FIFA-s, ku janë diskutuar çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me zhvillimin e futbollit botëror dhe kompeticionet ndërkombëtare.

Në këtë mbledhje mori pjesë edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Kongresi u drejtua nga Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i cili në fjalën e tij adresoi një mesazh inkurajimi për shoqatat anëtare të FIFA-s.

Anëtarët e FIFA-s diskutuan raportin financiar të vitit të kaluar, problematikat e shfaqur për shkak të pandemisë Covid-19, si edhe buxhetin për vitin e ardhshëm, që u kaluan edhe për votim më pas.

Ndërkaq, gjatë mbledhjes së Kongresit u shqyrtua edhe propozimi për zhvillimin e Botërorit të futbollit çdo 2 vjet dhe jo 1 herë në 4 vjet. Presidenti Gianni Infantino duke folur në deklaratën për shtyp foli në lidhje me këtë çështje dhe theksoi se ky propozim do të merret në shqyrtim me kujdes.

“Kjo është një mënyrë e promovimit të futbollit, ne duhet të studiojmë se çfarë mund të bëjmë për të stimuluar futbollin dhe duhet të jemi mendje hapur. Ne duhet të shohim se si mund të përshtatet kjo ide në kalendarin ndërkombëtar dhe si do të organizohen ndeshjet kualifikuese.

Tifozët duan të shohin më shumë ndeshje dhe turne të rëndësishëm, përparësia do të jetë sportive dhe jo thjesht komerciale”, – deklaroi Infantino, shkruan FSHF. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!