Gjermania mundet nga Franca dhe eleminohet nga Liga e Kombeve

schedule15:02 - 17 Tetor, 2018

schedule 15:02 - 17 Tetor, 2018

Gjermania pësoi një tjetër disfatë në Ligën e Kombeve. Ish-kampionët e botës nuk ia dolën dot në Francë, por gjithsesi loja e tyre dha shpresë për të ardhmen. U bë modë që kjo skuadër të humbë.

Nëse më parë thuhej se Gjermania vetëm fiton, tashmë gjigandët e futbollit e kanë tepër të vështirë që t’ia dalin. Disfatë edhe në përballjen ndaj Francës, dhe eleminim nga Liga e Kombeve, madje me rrezikun për të rënë nga kategoria. Nuk ishte thjesht humbja apo rezultati 1-2 që dëshpëruan publikun gjerman, por fakti se kombëtarja e tyre nuk arrin të reagojë edhe pas eleminimit nga Botërori, dhe se ka fituar vetëm tri herë në 11 takimet e fundit. Frika e madhe është se ndoshta futbolli gjerman sot nuk ka potencialin për të reaguar e për të qenë në nivelin e më të mirëve, duke sjellë pesimizëm e fatalitet. Gjithsesi, nuk është se ndeshja në Paris u luajt keq, aq më shumë që përballë ishin kampionët e botës. Toni Kros kaloi miqtë në epërsi në “Stad dë Frans” që në minutën e 14-të. Trajneri i Francës, Deshamp, e thotë qartë vështirësinë.

Didie Deshamp, trajner i Francës: “Vuajtëm shumë ndaj Gjermanisë në pjesën e parë, derisa arritëm të reagonim pas pushimit. U detyrova të bëja ndryshime në lojë. Gjithsesi, sukseset tona vijnë në radhë të parë nga uniteti, dhe kjo më lejon që të bëj ndryshimet që dua”.

Franca ia doli pas dy golave të Antuan Grizmanit, pas pushimit, dhe sulmuesi i Atletikos së Madridit, gjithashtu lavdëron rivalët.

Antuan Grizman, futbollist i Francës: “E patëm shumë të vështirë në fillim, pasi ata na zunë në befasi duke luajtur me 3 lojtarë në mbrojtje. Në pushim të ndeshjes ne ishim të qetë dhe folëm me njëri-tjetrin. Ndryshuam disa gjëra taktikisht dhe kjo na ndihmoi”.

A ndihet nën presion trajneri gjerman, Joakim Lëv, pas një tjetër humbjeje?

Joakim Lev, trajner i Gjermanisë: “Jam i zhgënjyer me rezultatin, por aspak me lojën. Ishte një humbje krejt e ndryshme nga ajo e së shtunës. Ne luajtëm shumë mirë futboll, dhe mendoj se ishim në nivel të njëjtë me ekipin më të mirë të botës. Diferencën e bëri sidomos cilësia individuale më e madhe e Francës”.

Edhe publiku gjerman duket se pati ndjenja pozitive. Gazeta “Bild” e shprehu më së miri shpresën e tifozëve: “Kjo është rruga e duhur Jogi! Nuk ka rëndësi nëse biem nga kategoria në Ligën e Kombeve, por që të pretendojmë në Euro 2020 dhe kjo po bëhet, pavarësisht humbjes. Iu dha shansi lojtarëve të rinj e të motivuar”. Në Francë, natyrisht që ka krenari dhe ndjenjë lavdie. “L’Ekip”: Njëri ose tjetri! Franca mund të mbështetet gjithnjë tek njëri nga sulmuesit e saj për të shënuar golat dhe për të arritur fitoret”. Franca kualifikohet për në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve, nëse barazon në Holandë, ose nëse humbet duke shënuar më shumë se dy gola./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!