Andi Zeqiri do të shkojë në EURO 2020 me Zvicrën, duke refuzuar kështu Kosovën që e kishte kërkuar me ngulm dhe kishte nisur nga puna edhe për të plotësuar dokumentacionin e nevojshëm që sulmuesi i Brighton të linte Zvicrën U21 për ekipin që tani drejtohet nga Bernard Challandes.
Vendimin e Zeqirit nuk e kanë pritur mirë tifozët e Kosovës, Dardanët, të cilët e kanë shpallur të padhëshiruar futbollistin. Në rrjetet sociale ata shkruajnë:
“Mashtrimet nuk tolerohen. Ai i Andit nuk ishte vetëm mashtrim ndaj federatës, por edhe ndaj tifozëve dhe mbarë popullit në Kosovë. Si i tillë mori përmasa edhe më të rënda. Ofendoi shumë keq të gjithë ata që u përpoqën ta afronin te Kosova.
Tani, ky zotriu i veshur me sedër të huaj, atë zvicerane, le të na tregojë se çka e motivoi për ta bërë këtë tradhti? Çfarë i bëri Kosova që t’ia linte këtë njollë të zezë? Çka i kishim borxh ne tifozët që ai të na përgjigjej me atë sjellje perverse?
Nënshkruajti mbi dokument se do t’i bashkohej kombëtarës kosovare, pastaj si skuth i pabesë në pabesi shkoi te Zvicra.
Të pabesët nuk i duhen Kosovës. Nuk u janë dashur shqiptarëve. Vetëm se, ta kesh të qartë një gjë: për Dardanët je i padëshiruar – NON GRATA.
Kënaqu në alpet zvicerane, por mos u mundo asnjëherë të identifikohesh me shqiptarët dhe Kosovën, sepse atë mundësi për t’u identifikuar si i tillë e hodhe në kosh të plehrave.
Kurse për neve ti je vetëm një gërmadhë mbeturinash. Nuk e meriton asnjë respekt! Dy vite duke sorrollitur njerëz, duke i gënjyer dhe vendosur në pozita të padobishme. Prandaj për ne Dardanët je i shpallur NON GRATA!”. /abcnews.al