Nuk ka më dilema, Harry Kane dëshiron të largohet nga Tottenham. 27-vjeçari është një nga sulmuesit më të mirë në botë, teksa interesimi për shërbimet e tij nuk mungon. Klubi londinez ka kërkesa të larta për ta lënë të lirë. Shumën e zbulon vetë kapiteni i Spurs në prononcimin e dhënë për Skybet.
“Nuk e di se çfarë do të ndodhë me mua. Ndoshta, presidenti Levy dëshiron të më shesë nëse merr një ofertë prej 100 milion paundësh. Uroj që raporti ynë të mbetet i mirë. Jam pjesë e Tottenham prej 16 vitesh, shpresoj që të kem një bisedë të ndershme dhe të sinqertë me presidentin për të kuptuar se çfarë do të ndodhë me mua.
Nuk dua të kem pengje në fund të karrierës, dua të jem futbollisti më i mirë i mundshëm. E ndjej që mund të kem një tjetër karrierë përpara, mund të luaj edhe 7-8 vite të tjera. Ndihem sikur mund të jem më i mirë se sa jam tani.
Ekziston mundësia që t’i përmirësoj shifrat e mia. Nuk e kam frikë ta them: dua të bëhem më i forti, dua të arrij në nivelet e Leo Messit dhe Cristiano Ronaldos. Objektivi im është të fitoj trofe çdo vit, dua të shënoj nga 50, 60 apo 70 gola në sezon“, përfundoi Harry Kane. /abcnews.al