Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim ka komentuar listat e kandidatëve për deputetë të partive për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Në emisionin “Opinion” ambasadorja tha se këshilla e saj për mos të kandiduar persona me rekorde kriminale u pranua pjesërisht nga partitë politike.
Kim deklaroi se dis persona u hoqën përpara hartimit të listave përfundimtare, megjithatë thekson ajo disa persona të vendosur në listë përbëjnë shqetësim, pasi janë futur në zgjedhjet parlamentare në mënyrë të mistershme.
Pjesë nga intervista:
Blendi Fevziu: Ambasadore, përpara zgjedhjeve, ju i kërkuat partive të mos kandidonin persona me rekorde kriminale në zgjedhje. A mendoni se e pranuan këshillën tuaj?
Ambasadorja Kim: Mendoj se e pranuan pjesërisht.
Blendi Fevziu: Çfarë do të thotë pjesërisht?
Ambasadorja Kim: Mendoj se listat e kandidatëve këtë vit, në përgjithësi, ishin më të mira se vitet e kaluara, në kuptimin që…
Blendi Fevziu: Shumë më të mira …
Ambasadorja Kim: …Jam dakord… Mendoj se disa nga kriminelët më të dukshëm nuk u vendosën në listë ose u hoqën para se listat të bëheshin përfundimtare. Nga ana tjetër, ka persona të tjerë që përbëjnë shqetësim, që u futën në lista, për arsye të ndryshme që për mua mbeten mister. Por di që udhëheqësit e partive kanë një përgjegjësi për të qenë të vërtetë dhe seriozë lidhur me largimin e kriminelëve dhe moslejimin e kriminelëve që të përfaqësojnë partitë e tyre dhe që të ulen në parlament. Ndaj, mendoj se është me shumë rëndësi dhe diçka shumë e mirë që një person i përcaktuar nga Shtetet e Bashkuara për korrupsion domethënës nuk është më në parlament. Kjo është gjëja e duhur dhe ky është drejtimi i duhur.