Italishtja futet në shkollat profesionale

schedule18:45 - 18 Maj, 2021

schedule 18:45 - 18 Maj, 2021

Ambasadori italian në Tiranë Fabrizio Bucci ditën e sotme firmosi një marrëveshje bashkëpunimi me dy ministret, të Arsimit Evis Kushi dhe të Ekonomisë Anila Denaj mbi Programin “Iliria”, një ndër paktet, sipas tyre më të rëndësishme në fushën e arsimit parauniversitar mes Shqipërisë dhe Italisë. Projekti konsiston në futjen e gjuhës italiane në shkollat profesionale.

“Kjo marrëveshje sjell disa risi, të cilat nxisin mësimdhënien e mëtejshme të gjuhës italiane në sistemin arsimor shqiptar, si për shembull, rishikimi i nivelit të njohurive gjuhësore bazuar në kuadrin e Përbashkët Evropian të Referencës për Gjuhët, përfshirja e arsimit dhe formimit profesional si nevojë e tregut të punës, si dhe zhvillimi profesional i mësuesve të gjuhës italiane” tha Kushi.

Ndërsa ambasadori i Italisë, Fabrizio Bucci u shpreh se “Synimi ynë është të fuqizojmë mësimdhënien e gjuhës italiane në Shqipëri duke e çuar italishten edhe në shkollat profesionale shqiptare, pasi gjuha italiane duhet të jetë një mjet i dobishëm për t’i mundësuar punësimin të rinjve shqiptarë që diplomohen në degët e ndryshme profesionale.

Italia vazhdon të jetë partneri i parë tregtar i Shqipërisë dhe një e treta e shkëmbimeve të Shqipërisë kryhet me vendin tonë, janë rreth 3 mijë ndërmarrjet italiane që punojnë në Shqipëri duke i ofruar punë dhjetra mijëra njerëzve. Ndaj, e mbi të gjitha për këtë arsye, gjuha italiane është shumë e rëndësishme” tha ai./ Abcnews.al