Stoltenberg: NATO-ja e përkushtuar ndaj misionit të KFOR-it në Kosovë

schedule20:47 - 17 Maj, 2021

schedule 20:47 - 17 Maj, 2021

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të hënën se NATO-ja mbetet e përkushtuar ndaj paqes dhe qëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor, dhe forcat e saj paqeruajtëse në Kosovë, janë dëshmia më e prekshme e këtij përkushtimi.

Ai i bëri këto komente pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili javën që lamë pas tha se “vendi i tij ka marrë informacione nga burimet e agjencive të zbulimit se një nga fuqitë e mëdha së shpejti do të fillojë të kërkojë zyrtarisht tërheqjen e forcave të KFOR-it dhe UNMIK-ut (Misioni i Kombeve të Bashkuara) nga Kosova”.

Ndonëse nuk kishte saktësuar se për cilin vend bëhet fjalë, ai u tha medieve serbe se informacionet janë nga “burime zyrtare” dhe se këtë çështje do ta diskutojë me zotin Stoltenberg.

“Nuk ka ndryshime. Të gjithë 30 vendet aleatët, përfshirë natyrisht edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, jemi të përkushtuar ndaj misionit të KFOR-it”, tha sekretari Stoltenberg.

Presidenti serb, e cilësoi si shumë të rëndësishëm përkushtimin e NATO-s ndaj misionit të KFOR-it.

“Shpresoj që ishte vetëm një keqkuptim i imi i thashethemeve zyrtare”, tha ai, duke nënvizuar se qëndrimet e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s do të ofrojnë më shumë qetësi dhe siguri në rajon.

Rreth 50 mijë trupa të NATO-s u vendosën në Kosovë në vitin 1999 pas përfundimit të fushatës së bombardimeve mbi forcat serbe për t’u dhënë fund mizorive të tyre ndaj shqiptarëve.

Serbia e cila e cilëson agresion ndërhyrjen e NATO-s, shpalli neutralitetin ushtarak në vitin 2006. Ajo iu bashkua Programit të NATO-s Partneritet për Paqe, megjithëse nuk kërkon anëtarësim të plotë në aleancën perëndimore të mbrojtjes dhe vazhdon të ruajë lidhje të fuqishme me Rusinë dhe Kinën.

Nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, në vitin 2008 Kosova shpalli pavarësinë e saj e cila kundërshtohet nga Serbia, e cila synon integrimet evropiane dhe duhet të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën për të realizuar këtë aspiratë.

Stoltenerg tha se NATO-ja mbështet procesin e normalizimit dhe se bisedimet janë platforma më e mirë për të gjetur një zgjidhje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve dhe për të ndërtuar një paqe afatgjatë, që garanton një të ardhme më përparimtare për të gjithë.

“Serbia është plotësisht e përkushtuar, 100 për qind e përkushtuar ndaj procesit të bisedimeve dhe do të bëjmë gjithçka për të arritur një marrëveshje kompromisi. Shpresoj që të dyja palët do të kemi forcë të mjaftueshme për të përmbyllur procesin në mënyrë pozitive. Nëse jo, megjithatë kemi nevojë për të ruajtur paqen dhe qëndrueshmërinë që është gjithnjë më mirë sesa të kemi dhunë, incidente etj”, tha ai.

Bisedimet pritet të vazhdojnë në pjesën e dytë të qershorit me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!