Përmbytje në jug të Francës, 13 të vdekur dhe dëme materiale

schedule18:21 - 15 Tetor, 2018

schedule 18:21 - 15 Tetor, 2018

Të paktën 13 persona kanë humbur jetën nga përmbytjet në rajonin Od, në jug të Francës. Autoritetet lokale kanë deklaruar se shirat e disa muajve ranë në vetëm pak orë gjatë natës, duke lënë rrugët të bllokuara.

Një murgeshë u rrëmbye nga ujërat e lumit Od, ndërsa një police që po përpiqej të menaxhonte trafikun e rënduar si pasojë e motit u godit nga një motor që humbi kontrollin për shkak të lagështirës në rrugë, në qytetin Albi.

Prefekti i rajonit, Alan Thirio ka deklaruar se njerëzit janë detyruar të ngjiten në tarracat e shtëpive dhe do të evakuohen nga ajri, pasi me varkë është shumë e rrezikshme.

Në një lokalitet tjetër të rajonit jugor, një person mbeti i plagosur pasi shtëpia ku ndodhej u shemb. Përmbytjet janë më të këqijat që zona ka përjetuar në më shumë se 100 vjet.

Shirat e dendura nuk janë të rralla në këtë periudhë të vitit, por këtë herë dëmet kanë qenë më të mëdha për shkak të shtëpive të shumta të ndërtuara në shtigjet ku kalojnë ujërat.

Banorëve të zonave më të prekura u është kërkuar të qëndrojnë në shtëpitë e tyre derisa të mbërrijnë shërbimet e emergjencës.

Në qytetin Trebe, niveli i ujit ka arritur në 7 metra dhe autoritetet kanë dhënë alarmin e kuq, që është maksimali sa i takon rrezikut.