Partitë aleate në koalicionin qeveritar me Merkel kanë pësuar humbje të mëdha në zgjedhjet lokale në Bavari. Kristiansocialët, që gjendet në pushtet prej 70 vitesh në Bavari, kanë humbur maxhorancën. Ndërsa për herë të parë partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë, ka arritur të futet në kuvendin rajonal.
Partia kristiansociale CSU e ministrit të Brendshëm Horst Seehofer dhe kryeministrit aktual Markus Söder ka fituar numrin më të madh të votave në zgjedhjet për landin e Bavarisë në Gjermani. Mirëpo pikërisht kjo parti ka shënuar rënien më të madhe në vota, në krahasim me zgjedhjet e kaluara. CSU ka fituar 37,3% të votave, që do të thotë se ka humbur shumicën absolute, që e ka pasur në mandatin e deritanishëm. Ky është rezultati i dytë më i dobët i CSU pas Luftës së Dytë Botërore. CSU-së, e cila tradicionalisht gjendet në pushtet në Bavari, për të vazhduar qeverisjen i duhet të paktën një partner në koalicion. Parnter i mundshëm i tyre në koalicionin e ardhshëm mund të jetë Partia Ekologjiste, e cila ka shënuar një rritje të votave, me rreth 17,7%. Vendin e tretë e kanë zënë “Zgjedhësit e Lirë” me rreth 11,5% të votave të fituara. Edhe kjo parti mund të jetë partnere e CSU në koalicion.
Krahas ekologjistëve, ndër partitë të cilat mund të festojnë për shkak të rezultat të arritur është edhe partia ekstremiste e djathtë, Alternativa për Gjermani (AfD), e cila ka fituar 10,3% të votave. Ndërsa krahas CSU-së, humbëse e madhe e këtyre zgjedhjeve në Bavari është edhe Partia Socialdemokrate (SPD), e cila deri tani ka qenë forca dytë politike në këtë land. Në këto zgjedhje SPD ka fituar vetëm 9,6 % të votave, që do të thotë se ka rënë në pozitën e pestë, që është një prej rezultateve më të dobëta të kësaj partie. Ndërkohë që e sigurt është se e Majta do të mbetet jashtë parlamentit, për shkak se ajo ka fituar vetë,m 3,5% të votave.
Kryetari i CSU Horst Seehofer tha se kjo parti nuk është e kënaqur me rezultatet e zgjedhjeve, por ajo ka fituar më së shumti vota dhe sërish do të marrë përgjegjësinë për pushtet. Ai nuk foli për përgjegjësinë e tij, për humbjen e mbi 10% të votave krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Përtej kësaj tabloje, mesazhi është I qartë: shumë politikanë lokalë në Bavari fajësojnë politikën federale për rezultatet e dobëta të partive në koalicionin federal (CSU dhe SPD). Nga analistët ndërkombëtar kjo shikohet si një goditje e rëndë për Merkel dhe qëndrimin e saj në pushtet./abcnews.al