Nesër do të luhet java e parafundit në La Liga. Tre ekipe ndodhen në garë për titullin kampion dhe gara është më emocionuese se kurrë. Real Madrid, që ndodhet dy pikë larg Atleticos kryesuese, nesër e pret një transfertë e vështirë.
“Los Blancos” do të përballen ndaj Athletic Bilbao. Fitorja është detyrim, teksa shpresohet në një hap fals të skuadrës së Diego Simeones. Zinedine Zidane ka folur për mediat në lidhje me këtë përballje, ndërsa ka një koment edhe për të ardhmen e tij.
“Do të futemi në fushë me synimin për të bërë mirë dhe për të luftuar gjatë 90 minutave. Titulli nuk varet nga ne, por ky fakt nuk duhet të ndryshojë qëndrimin tonë. Nuk e kontrollojmë dot atë që ndodh në fushat e tjera, kështu që është e rëndësishme të marrim tre pikët ndaj një ekipi të shkëlqyer si Athletic.
Lojtarët e mi nuk kanë reshtur së punuari për asnjë moment, ndihem krenar për ta. Ata besojne te fitimi i titullit dhe janë të përqendruar për të bërë më të mirën në dy ndeshjet e mbetura.
Unë kam të njëjtën dëshirë që kam pasur në ditën e parë kur u ula në stolin e Realit. Nuk e di se çfarë do të ndodhë pas 2 apo 3 vitesh, kështu që po tentoj të shijoj të tashmen. E ardhmja? Kjo pyetje është bërë shumë e mërzitshme, nuk e di çfarë do të ndodhë.
Unë po bëj maksimumin tim, por gjithçka mund të ndodhë. Ka momente kur duhet të qëndrosh aty ku je, por ka edhe raste kur duhet të largohesh për të mirën e të gjithëve“, përfundoi trajneri francez i Real Madrid. /abcnews.al